Atletico Madridi i është bashkuar Athletic Bilbaos, Mallorcas dhe Real Sociedadit në gjysmëfinale të Kupës së Mbretit.
Atletico e drejtuar nga trajneri Diego Simeone, të enjten në mbrëmje në stadiumin “Metropolitano”, fitoi 1:0 në çerekfinale përballë Sevillas.
Ky ballafaqim nisi me një minutë heshtje për të nderuar tre tifozë të Sevillas, të cilët vdiqën në aksident trafiku teksa po udhëtonin për në Madrid për ta parë këtë ndeshje.
Mediumi “EFE” ka konfirmuar se në makinë kanë qenë babai me djalin e tij, ndërsa personi i tretë nuk është identifikuar.
Ky ballafaqim u karakterizua me raste të shumta nga të dyja skuadrat.
Në pjesën e parë, Antoine Griezmann e humbi mundësinë për të shënuar nga penalltia në minutën e 26-të.
Francezi rrëshqiti në momentin kur e ekzekutoi 11-të metërshin.
Goli i fitores dhe kualifikimit në gjysmëfinale të garës erdhi në minutën e 79-të.
Argjentinasi Angel Correa bëri veprim të mirë individual në zonë dhe asistoi për sulmuesin holandez, Memphis Depay, që nuk e pati të vështirë të realizonte nga afërsia.
Në fundin e ndeshjes, Sevilla kërkoi penallti, por pas rishikimit të situatës në VAR, gjyqtari vlerësoi se gjithçka ishte e rregullt.
Më pas e mbylli ndeshjen dhe vendësit iu gëzuan kualifikimit tutje.
Finalja e Kupës së Mbretit do të luhet më 6 prill në stadiumin “La Cartuja” të Sevillas.