Pas shkollës “Dituria” në Komunën e Preshevës, Bashkia e Tiranës do të kontribuojë edhe për një shkollë tjetër të luginës së banuar nga shqiptarë, atë në Bujanoc, e cila mban emrin e Naim Frashërit.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, priti kryetarin e Kuvendit Komunal të Bujanocit, Enver Ramadanin, të cilët folën jo vetëm për këtë projekt, por edhe për fusha të tjera të përbashkëta.
“Është një kënaqësi e jashtëzakonshme sot që presim Këshillin Komunal vendor të Bujanocit, një qytet që e kemi për zemër. Lugina e Preshevës është ndoshta nga ato pjesë të kombit tonë që ka edhe sfidat më të mëdha. Ne mund të kemi beteja që janë të zgjidhshme mes nesh, se në fund të ditës janë debate brenda shtetit dhe qeverisë sonë, por është pak më ndryshe kur je në minorancë dhe kur të duhet të jesh gjithmonë e më shumë në përpjekje për të qëndruar me dinjitet dhe për ta mbajtur kokën lart, për të ruajtur atë gjuhë, atë traditë, atë kulturë dhe për të rritur ata fëmijë me dashuri për këtë vend, për këtë komb dhe këtë kulturë që kemi”, u shpreh Veliaj.
Ai tha se mbështetja e Bashkisë së Tiranës për Luginën e Preshevës do të jetë e vazhdueshme.
“Falë bashkëpunimit të dy Këshillave kemi një propozim për të investuar në shkollën mban emrin e rilindasit të madh, Naim Frashëri. Tiranës i shkon të investojë në palestrën e shkollës sepse jemi Qyteti Europian i Sportit. Na shkon edhe sepse besoj që fëmijët që merren me sport, ndoshta nuk do jenë të gjithë për ekip olimpik, por ama do të dinë të luajnë në skuadër, do mësojnë që jeta ka humbje, por ka edhe fitore. Ky investim është më shumë një investim për të krijuar skuadër dhe një komunitet me këta fëmijë. Ndaj, jemi shumë entuziastë dhe mezi presim, sapo të kemi projektin teknik, t’jua japim këtë mbështetje”, shtoi Veliaj.