Ministrat e Brendshëm të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian këtë të enjte do të takohen në Luksemburg për të tentuar të zhbllokojnë çështjen e mprehtë të reformës së politikës së emigracionit , duke parashikuar solidaritetin midis shteteve anëtare në pritjen e refugjatëve dhe përshpejtimin e përpunimit të disa kërkesave për azil në kufi.
Mediat e huaja shkruajnë se në lidhje me këtë çështje komisioni Evropian shprehu optimizëm për shanset e përparimit, të cilat diplomatët i vlerësojnë në “50-50”, pasi çështja e emigracionit është e diskutueshme.
Një marrëveshje midis 27 vendeve do t’i hapte rrugën negociatave me Parlamentin Evropian për të miratuar reformën përpara pranverës 2024.
Propozimi i kompromisit i paraqitur nga Suedia , e cila mban presidencën e Këshillit të BE-së gjatë semestrit aktual, parashikon solidaritet evropian të detyrueshëm, por “fleksibël”.
Shtetet anëtare do të jenë të detyruara të strehojnë një numër të caktuar azilkërkuesish që mbërrijnë në një vend të BE-së nën presionin e emigracionit ose përndryshe të japin një kontribut financiar për atë vend.
Është një përpjekje për të gjetur një ekuilibër midis vendeve mesdhetare të mbërritjes së parë, të cilat mbështesin zhvendosjen automatike në vendet e tjera të koalicionit, dhe shteteve si Hungaria apo Polonia , të cilat refuzojnë të detyrohen të presin azilkërkuesit.
Sipas burimeve diplomatike , bisedimet përfshijnë një shpërblim financiar prej 20,000 eurosh për çdo azilkërkues që nuk rivendoset.
Teksti tjetër, të cilin ministrat do ta marrin në konsideratë, i detyron shtetet anëtare të vendosin në kufi një procedurë të përshpejtuar për shqyrtimin e kërkesave për azil për disa emigrantë, të cilët qartësisht nuk mund të zgjidhen për një mbrojtje të tillë, sepse vijnë nga një vend i konsideruar “i sigurt”. Dhe kjo me synimin për të lehtësuar kthimin e tyre në të.
“Nuk ka asnjë arsye pse njerëzit që vijnë nga Shqipëria, Pakistani apo Turqia duhet të trajtohen në të njëjtën mënyrë si njerëzit që vijnë nga Afganistani, Siria apo Sudani,” komentoi Johansson./abcnews.al