Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi ka bërë të ditur sot se masat për çmimet e ngrira të produkteve ushqimore bazë do të zgjasë deri në fund të vitit. “Masa e “çmimit të garantuar” po zgjatet deri në fund të vitit, në vend të 30 nëntorit siç ishte planifikuar më parë”, tha Bekteshi.
“Pas konsultimeve me odën ekonomike të RMV-së por njëkohësisht edhe me tregtarët me pakicë dhe shumicë, ministria e ekonomisë sot i propozoi qeverisë, ku u miratuan edhe dy vendime shumë të rëndësishme, që të vazhdohet afati i masës për përcaktimin e çmimeve të produkteve bazë, në vend të 30 nëntorit të jetë deri në fund të vitit. Në këtë mënyrë konsiderojmë që të gjithë konsumatorët në RMV do të kenë mundësinë që të blejnë produkte më të lira deri në fund të vitit dhe paralelisht me këtë vendim pra edhe ligji për tregti pritet të pasojë ndryshime ku deri në fund të vitit me yll europian duhet të miratohet në kuvendin e RMV-së”, ka deklaruar Bekteshi, raporton SHENJA.
Siç ka bërë të ditur Bekteshi, deri në fund të vitit pritet të miratohet Ligji për praktikat e padrejta tregtare i cili do të kontrollojë fitimin, pas së cilës çmimet e produkteve pritet të mbeten të ulura edhe kur të përfundojë afati i masës “çmim të garantuar”.