Besimi: Në qershor do të emetohet obligacioni i parë civil

Në qershor do të emetohet obligacioni i parë civil me afat maturimi prej dy vitesh, ndërsa shteti do t’i përdorë paratë për projekte kapitale. Në këtë obligacion qytetarët do të mund të investojnë kursimet e tyre dhe interesi që do të marrin do të jetë më i lartë se interesi bankar, ka paralajmëruar ministri i financave, Fatmir Besimi. Ai nuk tha saktësisht se sa do të jetë interesi, por theksoi se do të jetë në mes të kamatës së depozitave bankare dhe eurobondit. Ministri mori si shembull Kroacinë, e cila ka emetuar një obligacion civil me kamatë prej 3.5 për qind.
“Ne vlerësuam se qershori është një periudhë e përshtatshme për emetimin e një obligacioni të tillë. Qytetarët duhet të ndërgjegjësohen se vlera e parave nën jastëk, sidomos në kohë inflacioni, ulet. Tani kemi pasur inflacion të lartë dhe qytetarët lehtësisht mund ta kuptojnë se është më mirë që paratë e tyre t’i investojnë, në vend që t’i ruajnë.”, theksoi Besimi në brifingun me gazetarë.
Ai shpjegoi se investimi në obligacione civile është një mundësi e mirë për të investuar paratë në kesh, por theksoi se kjo do të jetë në përputhje me Ligjin për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit.
“Qytetarët do të kenë mundësi të investojnë një pjesë të kursimeve të tyre në obligacione civile. Ata do të marrin një interes më të lartë se në një bankë dhe nëse u duhen para, mund t’i shesin obligacionet në tregun sekondar, përkatësisht në bursë. Në të njëjtën kohë, qytetarët duke investuar në obligacione civile financojnë zhvillimin e vendit.”, tha Besimi.
Një obligacion civil do të ketë vlerë nominale prej 10.000 denarë, që është praktikisht shuma më e vogël që mund të investohet. Ai bëri të ditur se për këtë vit është planifikuar në këtë mënyrë të mblidhen 50 milionë euro nga qytetarët. Obligacionet civile ishin planifikuar që para dy vitesh, por vonesa u imponua për shkak të inflacionit, tha ministri, Besimi. Paralajmëroi se veç obligacionit civil, në të ardhmen do të kemi edhe obligacionin e gjelbër për financimin e projekteve “të gjelbra”.