Bilalli-Zendeli: Fronti Europian me mbi 30 mijë vota epërsi ndaj Vlen-it! Vullneti i kujt po nëpërkëmbet sot?

Ish-deputetja e Bashkimit Demokratik për Integrim njëherit dhe profesoresha universitare, Arta Bilalli-Zendeli përmes një reagimi në profilin e saj në Facebook ka sqaruar situatën aktuale për formimin e qeverisë së re, të elaboruar në tre definicione kyçe.

Bilalli-Zendeli shkruan se Fronti Europian ka legjitimitetin e popullit, pasi pa fabrikime dhe manipulime ka epërsi me mbi 30 mijë vota përballë VLEN-it, ndaj ky vullnet i popullit nuk mund të nëpërkëmbet.

Reagimi i plotë:

“Shkelja e parimit fituesi me fituesin në vitin 2016”

Duke qenë të vetëdijshëm se po krijojnë një Qeveri vetëm për ta realizuar premtimin e kahmotshëm për BDI në opozitë (i cili ishte aq i dëshiruar edhe në vitin 2020) por i cili nuk u realizua sepse atëbotë BDI ishte fituese me 3 mandate deputetësh dhe me 20 000 vota diferencë nga opozita e atëhershme shqiptare, po mundohen që koalicionimin dhe pëlqyeshmërinë për njëri-tjetrin ta arsyetojnë me floskula të tipit:

1). BDI e shkeli parimin fituesi me fituesin në vitin 2016 sepse hyri në Qeveri me LSDM e jo me VMRO që ishte fituese në bllokun politik maqedonas;

2). Pse BDI nuk e shndërroi në ligj të veçantë Marrëveshjen e Majit;

3). Votat e Frontit Europian janë të larmishme me komunitetet tjera kurse të tyret janë të pastra shqiptare;

Elaborim për këto tre arsyetime:

1). Sipas nenit 84 të Kushtetutës së RMV-së, Presidenti i Republikës cakton mandatarin për formimin e Qeverisë kurse sipas nenit 90 të Kushtetutës:” Presidenti i Republikës e ka për detyrë që në afat prej dhjetë ditëve, nga dita e konstituimit të Kuvendit, mandatin për formimin e Qeverisë t’ia besojë kandidatit të partisë, përkatësisht partive që kanë shumicë në Kuvend”.

Sipas kësaj dhe logjikës që po mundohet të plasohet në opinion sipas së cilës fituesi i zgjedhjeve apo mandatari duhet pranuar pa përjashtim, mund të vijmë në situatë që mandatari të ketë në program pika siç janë për shembull: kthimi i dënimit me vdekje, anulimi i të gjitha konventave dhe marrëveshjeve demokratike ndërkombëtare, shpalljen e vendit si shtet të izoluar duke i mbyllur kufijtë, shpalljen e vendit si shtet monoetnik, etj. dhe i njejti duhet pranuar nga partitë tjera. Një detyrim i tillë, për pranim të qeverisjes me mandatarin nuk parashihet në asnjë akt juridik në vend!

Duke pasur parasysh, se në vitin 2016, sfida kryesore ishte ndryshimi i emrit me qëllim integrimin në NATO dhe BE, pa dyshim se BDI atëbotë nuk ra dakord me një parti e cila nuk ishte e gatshme ta merr një përgjegjësi të tillë.

Pas skadimit të afatit dhe mosdakordësimit për Qeveri, në vitin 2020, mandatari i atëheshëm e ktheu mandatin dhe ai iu dorëzua partisë së dytë, pra LSDM me të cilën u arrit marrëveshja për Qeverinë.

Shteti u anëtarësua në NATO dhe sa me rëndësi është ndryshimi i emrit për integrimin në BE flasin reagimet e parreshtura nga Greqia pas mosrespektimit të emrit kushtetues gjatë betimit të Kryetares së shtetit më 12 maj gjatë inaugurimit të saj!

Pra, si konkluzë, mosdakordësimi për Qeveri erdh si rezultat i mospërputhjes së 2 subjekteve: VMRO dhe BDI!

2). BDI nuk e shndërroi në ligj të veçantë sepse mbase nuk ia morri mendja se politikanë shqiptarë do të shkelin mbi vullnetin e popullit shqiptarë. Siç duket e vlerësoi gabimisht taborin dhe kalibrin e politikanëve rreth e rrotull!

3). Sa i përket përkatësisë etnike të votave, më vjen e pahijshme të flas sepse çdo votë është e barabartë me tjetrën. Kjo siç duket nuk vlen vetëm për lidershipin opozitar shqiptar që i mbivlerësojnë votat e të tjerëve në krahasim me votat e popullit të vet dhe nën strofullën e tyre, pra mandatarit aktual, po fsheh e maskon humbjen prej mbi 30 000 votash tek shqiptarët!

Është për tu habitur se si verbërohen para partive të etnive tjera brenda koalicionit VMRO- DPMNE?!

Poashtu, në vitin 2016 dallimi midis VMRO dhe LSDM ishte vetëm 2 deputetë nga 100 gjithsejt, që i bie 2 përqind dallim kurse sot, dallimi ndërmjet FE dhe VLEN është 6 deputetë (pa fabrikimin e ndodhur më 22 maj) nga gjithsejt 32 deputetë që në përqindje i bie rreth 20% dallim në favor të FE.

Tani, vullneti i kujt po nëpërkëmbet sot?

Nevoja e kujt për organizim politik po tentohet të zhduket?

Vullneti i kujt dhe arritjet e kujt po tentohet të shumëzohen me 0?

Për më tutje ka një shprehje shumë të bukur e domethënëse:

“Me të parë- me të bërë! (…)”.