Biletat për ndeshjen Kosovë – Zvicër po shiten në tregun e zi

Kanë dalë në shitje biletat e para në treg të zi për ndeshjen Kosovë – Zvicër, e vlefshme për kualifikimet e Euro 2024.

Ndeshja në mes të Kosovës dhe Zvicrës luhet më 9 shtator në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Një biletë e publikuar për shitje në rrjetet sociale është 150 euro. Ka edhe bileta të tjera për të cilat çmimi nuk është publikuar.

Biletat për ndeshjen mes Kosovës dhe Zvicrës dolën në shitje të martën. Brenda pak orëve, sipas FFK-së, të gjitha biletat u shitën.

Çmimet normale të biletave ishin veri dhe jug nga 5 euro, lindje 10 euro, perëndim 20 euro dhe VIP 50 euro. Në tregun e zi, çmimi i tyre është pesëfishuar apo edhe më shumë.

Kosova është me gjasa fare të vogla për kualifikim në “Euro 2024”. Ka vetëm tri pikë nga katër ndeshje, ndërsa renditet e parafundit (5) në grup. Prapa e lë vetëm Andorrën. Për më tepër, në ndeshjen e fundit Kosova pësoi humbje dëshpëruese. U mposht 2:1 nga Bjellorusia në Budapest të Hungarisë, më 19 qershor. Ajo humbje solli largimin e përzgjedhësit Alain Giresse.