Çdo i katërti fëmijë në RMV viktimë e dhunës fizike

Projekti kërkimor shkencor i realizuar nga Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup si dhe një ekip i përbërë nga profesorë të Fakultetit Filozofik theksoi se 37% e fëmijëve ndihen të pasigurt në shkollat e vendit, ndërsa rreth 24% e tyre kishin qenë viktima të dhunës fizike. Sipas profesoreshës Sofija Georgievska, pjesa e ekipit të cilët kanë punuar në hulumtim ka treguar se dhuna është në rritje. “Sot, dhuna digjitale është një nga problemet më të shpeshta me të cilën përballen të rinjtë apo fëmijët. Për mua tronditëse janë të dhënat që 37% e fëmijëve theksojnë se nuk ndihen të sigurt në shkolla”, tha Georgievska. Edhe më alarmante sipas saj, është fakti se 27% e fëmijëve nuk dinë se kujt dhe si t’i raportojnë që janë viktimë e dhunës, prandaj ajo apeloi deri tek gjithë prindërit dhe mësimdhënësit që të bisedojnë me fëmijët. “Për mua akoma më shqetësuese është fakti se 27% e fëmijëve nuk kanë ose nuk dinë kujt t’i thonë në raste kur ndihen viktima të dhunës. 27% është një numër i madh që na thonë ‘Ndihem keq, por nuk di kujt t’i them’. Prandaj prindërit, mësimdhënësit, shërbimet profesionale janë hallka e parë që duhet t’i mundësojë fëmijës të tregojë se çfarë ndjen, çfarë e trishton e çfarë e gëzon”, u shpreh ajo.

Georgievska vlerëson se fëmijët ndonjëherë edhe nuk dinë të identifikojnë dhunën.

“Ndonjëherë ata thonë se dikush ka bërë shaka por që nuk është dhunë, mirëpo nëse i pyesni se si janë ndjerë në atë moment do thonë se nuk ka qenë e këndshme dhe se nëse ndodh dy herë në javë të nesërmit nuk duan të shkojnë në shkollë. Mendoj se diku duhet ndezur alarmi që duhet të na tregojë se sa të punojmë me fëmijët  tanë. Disi të gjithë jemi bërë ekspertë të traumës, të gjithë flasim për traumën, ndërsa kur ndodh trauma ne shohim se sa pak dimë për traumat tek fëmijët dhe aq më pak, se sa pak dimë për traumat zhvillimore me të cilat përballen fëmijët”, theksoi ajo.

Vajzat, siç thekson Georgievska janë ato që janë më empatike, kryejnë dhunë psikologjike, por edhe janë viktima të dhunës psikologjike, ndërsa kur bëhet fjalë për dhunën fizike sipas saj, ato që dominojnë në masë të madhe janë meshkujt.

Nga ana tjetër, sipas ministrit të Arsimit Jeton Shaqiri, angazhimi i qeverisë është që në shkolla të sigurojë ambiente të qeta dhe të sigurta për fëmijët. Gjëja më kryesore sipas tij është që të veprohet në mënyrë parandaluese.

“Ne veprojmë në mënyrë institucionale. Çdo projekt i komunitetit akademik dhe sektorit civil është i një rëndësie të madhe për ndërtimin e sigurisë, respektit dhe tolerancës reciproke në shkolla. Të gjithë së bashku duhet që të promovojmë vlera pozitive në mënyrë që të rinjtë të bëhen njerëz më të mirë, cilësor, dhe që dhuna mos të jetë kurrë një opsion. Të veprojmë në mënyrë parandaluese në mënyrë që të mos jetë vonë”, deklaroi Shaqiri duke shtuar se protokollet janë në fazën e përgatitjes dhe se deri në fund të javës do ju dërgohen shkollave. Hulumtimi është bërë me më shumë se 2.000 nxënës. /koha/