Çitaku:Prokuroria me urgjencë të fillojë hetimet për aferën antishtetërore

Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar që të hetohet kryeministri Kurti rreth aferës së publikuar së fundmi në media.

 

Nënkryetarja e PDK-së Vlora Çitaku në një konferencë për medie, kërkoi që institucionet e drejtësisë të veprojnë me urgjencë.

Raportimet mediale dhe deklaratat e dëshmitarëve përmes së cilave pretendohet lidhja e kryeministrit Kurti me korrupsionin dhe çështje ilegale ka bërë që Partia Demokratike e Kosovës të kërkoi nga institucionet e drejtësisë reagim emergjent.

“Dëgjuat dhe patë me zë dhe figurë, dëshminë e një personi i cili ndërlidh, ndërmjetësuesin e Qeverisë Kurti për furnizime shtetërore Ridvan Muharremin edhe me çështje tjera, tregtia me armë, krijimi i dëshmitarëve të paqenë kundër krerëve të UCK-së dhe zhdukja e një politikani të PDK-së. Të gjitha ishin subjekt i kësaj dëshmie e cila sot kërkon vetëm një gjë, hetim, hetim, hetim”, ka thënë Çitaku.

Më tej, ajo tha se kjo çështje nuk ka të bëjë vetëm me korrupsion, por flet për rrezikun që i kanoset demokracisë e sigurisë nga mentaliteti zhvatës. Për më tepër, kërkesa e Ridvan Muharremit për gjetjen e 4 dëshmitarëve të besimit katolik, ndikon në nxitjen e urrejtjes ndërfetare, konsideron Çitaku.

Nënkryetarja Çitaku, kërkoi nga prokuroria që të hetojë edhe kryeministrin Kurti.

“PDK kërkon që të hetohet edhe kryeministri Kurti emri i të cilit është i lidhur ngushtë me deklaratat e fundit për çështje anti-shtetërore dhe anti-kombëtare. Qytetarët kanë nevojë për sqarime dhe llogaridhënie, nga të gjithë të përfshirët në këtë aferë të turpshme. PDK kërkon hetim dhe përgjegjësi. Asgjë më shumë dhe asgjë më pak”, përfundoi Çitaku.

Ndryshe, reagimi i nënkryetares së PDK-së pason një intervistë në gazetën Nacional të një dëshmitari me emrin Ndue Gjinaj, i cili akuzon bashkëpunëtorët e kryeministrit Kurti, për çështje të paligjshme, korrupsion dhe dëshmitarë të rremë.