I ashtuquajturi bllok opozitar i treshes Bilall Kasami, Afrim Gashi dhe Izet Mexhiti në njërën anë kërkojnë që të luftohet krimi dhe korrupsioni, ndërsa në anën tjetër kërkojnë që kjo të bëhet në mënyrë selektive.Kur janë në pyetje liderët e tyre, deputetët e këtij koalicioni ikin nga tema, ose konfrontohen me gazetarët.
Deputeti Fadil Zendeli nga radhët e Lëvizjes BESA i pyetur për dy skandalet të mëdha korruptuese për të cilat dyshohet të jetë përfshirë kreu i tij partiak dhe kryetari i komunës së Tetovës, tha se:
“Çdo kush që është i involvuar në veprime kundër ligjore duhet të përgjigjet, pa marrë parasysh prej cilit subjekt politik janë… Nëse ka diçka për funksionarët tjerë lirisht prokuroria dhe institucionet tjera mund ta zhvillojnë procedurën. Prokuroria i ka të gjitha kompetencat të veprojë!”, tha mes tjerash deputeti Zendeli i pyetur për skandalin në të cilin dyshohet kryetari i Lëvizjes BESA dhe i Tetovës, Billall Kasami se nëpërmjet dy kompanive me nga një të punësuar, të afërt të tij, ka keqpërdor miliona euro.
Raportimet e fundit mediale thonë se miliarda denarë ose miliona euro janë derdhur nga xhirollogaria e Komunës së Tetovës në llogari të dy kompanive të afërta me Bilall Kasamin. Denoncimi i cili në disa media ka arritur në formë anonime, flet për keqpërdorim të mbi dy milion euro nga kompani të cilët e ndihmuan kreun actual të Tetovës, Bilall Kasami në zgjedhje lokale.
“Kompania e parë sipas denoncimit është, Shoqata për Ndërtim, Transport, Tregti dhe Shërbime, “Ereu Trans”, e formuar në vitin 2021, me seli në fshatin Poroj të Tetovës, e cila nga Komuna, ka fituar dy “tendera”, njëri prej të cilëve 9,999,999.68 milionë denarë dhe tjetri me shumë prej 67,357,818.46 milionë denarë. Kompania e dytë që po ashtu ka fituar në disa thirrje publike të bëra nga Komuna e Tetovës është Shoqata për hotelieri dhe shërbime hotelierike “Ekopeu”, Tetovë”, shkruan në dokomentet për të cilat dyshohet se Kasami të ketë kryer korrupsion.
Sipas denoncuesit, kompania “Ekopeu” ka dalë fituese në gjithësej, gjashtë thirrje publike të Komunës së Tetovës dhe si rrjedhojë në thirrjen e parë, ajo ka fituar 35,858,687.24 milionë denarë, në thirrjen e dytë, 2,656,180.00 milionë denarë, të të tretën 2,255,605.40 milionë denarë, të katërtën 1,999,999.70, milionë denarë, të pestën 2,868,752.28, milionë denarë dhe në të gjashtën 3,466,250.00 milionë denarë.
Kompania e parë, “Ereu Trans” udhëhiqet nga Xharie Bajrami, kurse kompania e dytë po ashtu udhëhiqet nga një grua me mbiemër të njëjtë, Habibe Bajrami. Kompanitë e lartë-përmendura dyshohet se mund të janë hapur nga pronari i kompanisë, “Mujo Bau” që në zgjedhjet e fundit lokale raportohet që ka ndihmuar në masë të madhe Kasamin. Të afërme më pronarin e “Mujo Bau” janë udhëheqës të kompanive në fjalë.
Këshilltari nga radhët e Partisë Demokratike Shqiptare në Komunën e Tetovës, Visar Palloshi thotë se nëse dyshimet dhe akuzat rezultojnë si të vërteta atëherë do të ngecje në realizimin e projekteve në interes të qytetarëve.
“Ne si këshilltarë komunal nuk kemi qasje në atë dokumentacion dhe do ishte e pafalënderushme të komentojmë në bazë të shkrimeve të mediumeve, por nëse ka ndonjë shkelje besoj se organet kompetente do të veprojnë, megjithatë si inxhinier mund të ju them se nëse kjo është e vërtetë ku kompani me 1 apo 2 të punësuar dhe pa përvojë në realizim të projekteve ndërtimore, atëherë nuk mund të presim se do të realizohen këto projekte me sukses, në kohë dhe në mënyrë kualitative. Nëse këto kompani të përzgjedhura i delegojnë nga dita e parë obligimet e tyre kompanive tjera për realizim të projekteve atëherë lë hapësirë për dyshim se ka shkelje apo ndikim nga ana e organeve të komunës ose kryetarit të komunës”, deklaroi Palloshi.