Dështon sateliti i parë spiun i Koresë së Veriut

Dështon në orbitë  lëshimi i satelitit të parë  spiun në Korenë e Veriut. Shkak për këtë është bërë paqëndrueshmëria në sistemin e motorit dhe karburantit. Megjithatë, Koreja e Veriut duket se nuk do të heqë dorë nga synimi i saj pasi një tentativë tjetër për të lëshuar satelitin do të zhvillohet shumë shpejt.

Lëshimi i satelitit rindezi sirenat e alarmit në kryeqytetin e Koresë së Jugut ndërsa autoritetet njoftuan qytetarët të jenë në gatishmëri për një evakuim të mundshëm.

Kaosi dhe konfuzioni mbizotëroi në rrugët e Seulit kur sirenat të shoqëruara nga një mesazh emergjence, iu kërkonin banorëve që të përgatiteshin për evakuim, ndërsa 20 minuta më vonë u njoftua se mesazhi ishte dërguar gabimisht.

Isha pak i hutuar nga mesazhi i alarmit këtë mëngjes. Shpresoja që mesazhi do të kishte informacion më të saktë. Nëse ata dërgojnë një mesazh tjetër alarmi në të ardhmen, do të ishte më mirë të përfshinin edhe disa udhëzime”.

Ky alarm i rremë dëmtoi besimin e disa qytetarëve tek autoritet në vend.

“Ishte herët në mëngjes, kështu që e kuptoj që mund të ketë një keqkuptim midis autoriteteve në një situatë emergjente. Megjithatë, nuk është e drejtë t’u thuash njerëzve që thjesht të evakuohen  pa dhënë asnjë shpjegim”.

Në një konferencë për shtyp, kryebashkiaku i Seulit pranoi se mesazhi i urgjencës mund të ketë qenë i tepruar, por shtoi se nuk mund të ketë kompromis kur bëhet fjala për sigurinë.