Dorëheqjet e ministrave të BDI-së, shprehje përgjegjësisë së lartë!

Dikush thoshte e kanë pjesë strategjie politike, një lojë në kuadër të saj, dikush madje e merrte me tallje, por, paralajmërimi i paradokohshëm i BDI-së se janë të gatshëm të tërhiqen nga qeveria për të zhbllokuar procesin e ndryshimeve kushtetuese dhe eurointegrimet, sot u bënë realitet.

Kushdo le ta marrë si ta marrë, një gjë që është e shkruar, nuk shlyhet: pesë ministrat e kësaj partie, sot ia dorëzuan dorëheqjes kryetarit të Qeverisë, Dimitar Kovaçevskit. Siç kanë thënë vetë, e bënë këtë si një flijesë për hir të interesave të larta shtetërore. Pakashumë të gjithë ministrat numëruan arsyet e njëjta, e ato janë plotësimi i dëshirës opozitës për të votuar ndryshimet kushtetuese, me të cilat do të jetësohej një nga objektivat gjeostrategjike të vendit, integrimi në BE.

Nëse paralajmërimi nuk kishte qenë bindës për oponentët dhe nuk e morën shumë seriozisht, sot do të duhej të korrigjonin veten, sepse pas gjestit kolektiv, sot individualisht secili ministër e nënshkroi dorëheqjen e vet dhe ia deponoi kryetarit të Qeverisë.

Tash, topi është në këmbët e opozitës!

VMRO-DPMNE dhe oponentët tjerë mund të jenë të kënaqur që “presioni” i tyre për ta larguar BDI-në nga pushteti, “pati sukses”. Nga ky këndvështrim, kjo duhet të jetë një fitore e tyre para elektoratit.

Por, dardha ka bisht. Edhe opozita duhet të marrë pjesën e vet të përgjegjësisë, sepse akti i ministrave të BDI-së, ëshë konkret, por varet prej opozitës nëse do ta testojë seriozitetin e tyre. Varet prej vetë opozitës, nëse do të vazhdojë me lojën politike(tash duhet të shpikë ndonjë pretekst të ri) për t’u bërë obstruksion ndryshimeve kushtetuese, apo do të tregohet po aq serioze sa BDI-ja dhe t’i votojë ato.

BDI-ja ua la terrenin e kënaqësisë ta përjetojnë gjer në fund ashtu si do opozita. BDI-ja tash e teston seriozitetin e opozitës nëse është në gjendje të tejkalojë vetveten, të ngritet mbi nebulozat manipulative që i krijoi për t’ia shitur publikut si ndonjë mbrojtje interesash kombëtare. Interesat kombëtare cenohen nëse lëshohet treni i BE-së, që është jetik për vendin tonë, e për BE është deklaruar edhe vetë VMRO-ja, që tash e ka shansin të dëshmojë sa e ka deklarativ këtë përcaktim, e sa serioziht.

Një pjesë e publikut edhe tash pas dorëheqjeve të gjejnë arsye për ta kontestuar vendimin. Fakti pse janë të kushtëzuara, nuk përbën ndonjë risi, diçka që e ka shpikur BDI-ja, por, një veprim i duhur adekuat në kontekst të rrethanave tona politike, ku dominon diskursi manipulativ. Sepse, kjo parti nuk mund t’i lejojë vetes të bëjë një flijesë për interesa shtetërore, e dikush ta shohë vetëm interesin e ngushtë partiak. Si parti serioze dhe me vizion që shpesh di të ecë para subjekteve të tjera, ajo është gjithnjë proaktive, u paraprin proceseve dhe si në rastin konkret, edhe “i motivon” të tjerët të ndjekin hapat e saj.

Prandaj, dorëheqjet janë një akt parimor por dhe konkret, që ve në plan të parë interesat e qytetarëve duke flijuar interesat partiake. Nëse vetë flijojnë pushtetin që kanë, që është synim i çdo subjekti, nga opozita kërkojnë një flijesë shumë më të vogël, për interesin madhor.

BDI-ja dëshmoi edhe një herë se ajo ka një qasje origjinale të politikëbërjes, dëshmon se nuk është me çdo kusht rob i pushtetit, dhe ndryshe nga shumë parti të tjera, di të balancojë kauzat kombëtare, si përfaqësuese e denjë e interesave e të popullatës shqiptare, me ato shtetërore./indeks.mk