Ylber Ramadani, mesfushori në pronësi të Aberdeen, së shpejti do të transferohet te Lecce në Serie A. Klubi nga Salento kishte gjetur tashmë marrëveshjen me futbollistin dhe tani ka arritur ta mbyllë akordin edhe me skocezët, siç raporton “Sky Sport”.
Operacioni në fjalë i merkatos do të zyrtarizohet në bazë të një transferimi përfundimtar prej 1.2 milionë euro, plus 10% për çdo rishitje të ardhshme të mesfushorit të kombëtares shqiptare.
Konfirmimi se gjithçka është me të vërtetë afër përfundimit është se Lecce ka rezervuar tashmë testet mjekësore të shqiptarit, të cilat do të kryhen sot, e enjte 3 gusht, pas së cilave lojtari i lindur më 1996 do të nënshkruajë kontratën, që do t’i lejojë atij të zyrtarizojë zbarkimin në Itali.
Sezonin e kaluar ai luajti gjithsej 44 ndeshje, me 1 gol dhe 3 asiste, si dhe 9 kartonë të verdhë. Këtë karakteristikën e fundit, sipas medias italiane, me siguri do të duhet ta përmirësojë në Serie A.