Shkruan:Rilind Dauti
Predikuesit islamë duhet t’i rishqyrtojnë prioritetet se për cilat gabime dhe mëkate më së shumti ua tërheqin vërejtjen besimtarëve. Ja disa shembuj:
-Të flasin më shumë kundër bulizimit të përditshëm të fëmijëve tjerë dhe mosrespektit të përditshëm ndaj mësimdhënësve, që janë mëkatime më të mëdha sesa një herë në jetë festimi i semi-maturës apo maturës.
-Të flasin më shumë kundër nguljes së syve një personit me aftësi të kufizuara dhe komentimit për të duke qenë ai aty, që është veprim më i turpshëm sesa kur një djalë i pamartuar e shikon një vajzë me mini-fund.
-Të flasin më shumë kundër organizimit të përleshjeve mes qenve dhe në përgjithësi kundër keqtrajtimit të kafshëve, që janë mëkate më të këqija sesa ruajtja e qenit si kafshë shtëpiake.
-Të flasin më shumë kundër ngacmimit seksual që i shqetëson femrat dhe nuk sjellë asnjë dobi, sesa kundër kontakteve me vullnetin e të dy palëve që shpesh çojnë në zbatimin e sunetit pejgamberik që është martesa.
-Të flasin më shpesh kundër përdhunimit, që është shumë më i dëmshëm dhe më i shëmtuar sesa zinaja me vullnetin e të dy palëve.
-T’ua përkujtojnë më shpesh tregtarëve seriozitetin e vjedhjes në peshore e cila përmendet në Kur’an, që është mëkat edhe më i madh sesa shitja e alkoolit.
-Të flasin më shpesh kundër shefave që ua hanë hakun punëtorëve, sesa kundër punëtorëve të shkretë që e nxjerrin një idare në një supermarket ku në mesin e mijëra artikujve hallall, një pjesë e vogël janë pijet alkoolike.
-Të flasin më shumë kundër diskriminimit në ftesë të farefisit të klasit shoqëror më të ulët, sesa kundër dasmave burra-gra bashkë.
-Të flasin më shumë kundër prishjes së marrëdhënieve farefisnore që zgjatë me vite të tëra, që është mëkat shumë më i rëndë sesa 1 sekond përshëndetja me dorë e grave jo-mehrem.
Disa mëkate për të cilat na paralajmërojnë vazhdimisht, janë të tilla që lahen me namaz, avdes, apo istigfar, por disa të tjera për të cilat flasin pak, janë mëkate që nuk lahen aq lehtë. Mbi të gjitha padrejtësitë që iu bëhen njerëzve tjerë. Sepse, përderisa për mëkatet ndaj Tij Allahu vazhdimisht na e përkujton mëshirën dhe faljen, Allahu nuk i falë mëkatet që njerëzit i bëjnë ndaj njerëzve tjerë.
Kështu që, duhet folur për të gjitha llojet e mëkateve, por duhet të ndryshojnë prioritetet se për cilat mëkate besimtarëve iu tërhiqet vërejtja më shpesh.
(Status nga Facebooku, E premte 11 gusht 2023)