Editorial/ Korridori 8, mrekullia që do të ndryshojë ritmet e jetës së rajonit

-Ali Ahmeti e quajti “mrekulli” dhe gjithë të tjerët, ditë historike fillimin e ndërtimit të Korridorit 8, me të drejtë, sepse si thotë Artan Grubi, u hap një kapitull i ri zhvillimi, “kryefjala e të cilit është një projekt kolosal, një korridor bashkimi mes popujve dhe një shteg i ri përparimi”, e që në anën tjetër, nga aspekti pushtetar, siç përmend kryeministri Dimitar Kovaçevski ka rëndësi ngaqë “kjo Qeveri ka vite që dëshmon se kujdeset për zbatimin e çështjeve kryesore strategjike për vendin, pavarësisht nëse janë çështje të brendshme apo të jashtme”

/Shkruan: Indeks.mk/

Katër prilli patjetër të mbetet ditë e shënuar në anale. Një ditë jo dosido, por ditë kur u nis ndërtimi i projektit të madh, e sipas zëvendëskryeministrit të Parë dhe promotor i tij, “më i madhi në historinë e vendit”. Një vepër ndërtimore e infrastrukturës rrugore (bashkë me Korridorin 10D) që peshon mbi 1.3 miliardë euro, që lidh shtetet e rajonit, që nxit zhvillim të gjithmbarshëm, meriton të gjitha epitetet që u thanë në Tetovë të martën.

Kur t’i kesh parasysh të gjitha aspektet, ka të drejtë Ali Ahmeti që gurthemelin e Korridorit 8 e quajti hiq më pak “një mrekulli”. “Të bësh më të mirë jetën e njerëzve, lëvizjen e tyre, të përparosh dhe ndikosh drejtpërsëdrejti në zhvillim e ekonomi e sidomos të lidhësh më ura e brigje një Ballkan të tërë është punë e ndritshme që do të shërbejë edhe më tepër në lidhje më të forta miqësore, ekonomike e zhvillimore. Kjo është mrekullia”.

“Mrekullinë” e Ali Ahmetit, e plotësojnë fjalët e Artan Grubit kur përmend se “hapëm një kapitull të ri zhvillimi, kryefjala e të cilit është një projekt kolosal, një korridor bashkimi mes popujve dhe një shteg i ri përparimi.” Korridori 8 “është padyshim investimi më i madh në historinë e vendit, misioni më madhor që po e jetësojmë duke shkurtuar distancat e qarkullimit dhe bashkëpunimit rajonal, imperativ i kohës për të qenë akoma më afër në sfidat e përbashkëta të zhvillimit dhe integrimit europian.”(Grubi).
Rëndësi ka edhe nga aspekti pushtetar, sepse ai shënon nisjen e një projekti të nisur dikur e të harruar, që kjo qeveri “i dha infuzion” dhe e ktheu në jetë. Prandaj, në këtë moment, publiku me të drejtë mund t’i përkrahë edhe fjalët “lëvdaqe” të kryeminsitri Dimitar Kovaçevski se “kjo Qeveri ka vite që dëshmon se kujdeset për zbatimin e çështjeve kryesore strategjike për vendin, pavarësisht nëse janë çështje të brendshme apo të jashtme”.

Do t’ia adresojmë këtë meritë për gjithë këtë që bëri kjo qeveri për t’u nisur projekti dhe do t’i kërkojmë t’u përmbahet fjalëve për ta realizuar në kohë brenda pesë viteve. Atëherë do t’i japim të drejtë edhe për fjalët se “jemi ne që zgjidhim çështjet madhore të penguara me dekada, pa kalkulime partiake por për interes publik”.
E Korridori 8, e ka atë peshë të rëndësisë që i tejkalon të gjitha dallimet që mund t’i kemi në baza të ndryshme, sepse me të, si vend “bëhemi një rrugë e pashmangshme transporti si në rajon ashtu edhe më gjerë” sepse “nuk është vetëm fillimi i një infrastrukture të re rrugore, është edhe gurthemeli i investimeve të reja, hapja e tregjeve të reja, mundësi për bashkëpunime të reja si mes kompanive vendore, ashtu edhe ndërkombëtare”, “nënkupton lidhjen e vendit me vendet e tjera evropiane, do të thotë investime të huaja, zhvillim ekonomik i vendit, qarkullim më i shpejtë i njerëzve dhe mallrave, turizëm i zhvilluar dhe mbi të gjitha rrugë të sigurta për qytetarët.”(gjithnjë sipas Kryeminsitrit)
Shumëkush e tha se po shkruhet histori. Me të drejtë. Sepse “po shkruajmë historinë e një Maqedonie moderne dhe progresive, ky gurthemel është dëshmi se po investojmë në projektin më kapital që nga pavarësia vendit”( Bllagoja Boçvarski – ministër i Transportit dhe Lidhjeve), pasi deri tash, shumëkush ka dhënë deri tash “deklarata boshe” përderisa “rrugët ishin të shekullit të kaluar”.

Rëndësia më e madhe e Korridorit 8 është padyshim fakti se ai i lidhë të gjitha vendet e Ballkanit. Por ai ka edhe një dimension tjetër si për rastësi. Korridori 8-të me 8 korsi, “do bëjë lidhjen e shqiptarëve nga Kumanova deri në Shqipëri”, sikur të shkruante vargje poezie(që rastësisht po i rimohen) do të shprehet Arbër Ademi(koordinator i grupit parlamentar të BDI-së). Kur është një projekt kaq i gjerë në përfshirjen e vendeve përmes infrastrukturës rrugore, nuk është i parëndësishëm as aspekti i përmendur nga Arbëri, sepse, përderisa të mos realizohet Rruga e Arbërit, edhe pa të Korridori 8, është një rrugë që i lidh edhe shqiptarët, duke qenë se në relacionin ku kalon traseja, ata janë në shumicë.

U tha, e çka s’u tha, me shumë të drejtë. Po e përmbyllim me fjalët e biznesmenit të njohur nga këto troje, Lazim Destanit(Ecolog): “Realizimi i këtij investimi kapital për modernizimin e infrastrukturës rrugore që lidh Detin Adriatik me Detin e Zi, që lidh portet shqiptare të Durrësit e të Vlorës me portet bullgare të Varnës dhe Burgasit, do të mundësojë rritjen e zhvillimit ekonomik, kushte më të mira për zhvillim biznesi, por edhe jetë më cilësore dhe lidhje me Korridoret kryesore europiane. Qarkullimi i lehtë dhe i shpejtë i njerëzve dhe mallrave në masë të madhe do ta bëjë ndryshimin e ritmit të zhvillimit ekonomik, shoqëror e të gjithmbarshëm të vendeve tona.”