Editorial / Si do t’i “bie defit” Edi Rama në Shkup ?

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama gjatë ditëve në vijim do të bëjë një udhëtim nëpër vendet e Ballkanit Perëndimor ku do të takohet me lidershipin e tyre. Menjëherë pasi e quajti të përfunduar nismën “Open Balkan”, kreu i qeverisë shqiptare do të kthehet në fokus agjendën e Procesit të Berlinit, shkruan “Zhurnal.mk”.

Më gjashtë korrik, Rama do të vizitojë Shkupin zyrtar ku do të takojë kryeministrin Kovaçevski dhe liderë të partive politike shqiptare. Pasdite, do të niset drejt Prishtinës, ku do të takojë kryeministrin Albin Kurti. Kjo do të jetë përballja e parë e dy kryeministrave pas përplasjeve publike lidhur me situatën në veri të Kosovës, anulimin e mbledhjes së dy qeverive si dhe draft asociacionin e propozuar nga kryeministri Rama.

Ditën e 7 korrikut, Edi Rama do të vizitojë edhe Podgoricën, Beogradin dhe Sarajevën, ku edhe do të zhvillojë takime me krerët e vendeve.

Në Maqedoninë e Veriut, Edi Rama vjen si në shtëpinë e tij duke pasur raporte të shkëlqyera me kryeministrin Kovaçevski por edhe me krerët e partive politike shqiptare. Gjithmonë takimet janë frytdhënëse për të lehtësuar lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave dhe për të diskutuar udhëtimin e përbashkët drejt Bashkimit Evropian.

Duke qenë se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë në të njëjtin grup sa i përket ecurisë drejt Bashkimit Evropian, pika më e nxehtë që do të diskutohet midis dy vendeve është edhe mundësia e ndryshimeve kushtetuese. Edi Rama në fillim e kishte kundërshtuar ashpër Bullgarinë për qëndrimet e saja kundër Maqedonisë së Veriut, por në momentin kur e pa se çështja bullgare është serioze dhe mund t’i shkaktojë dëme edhe Shqipërisë në rrugën e integrimit, Rama u tërhoq dhe nuk e preku më këtë temë, shkruan “Zhurnal.mk”.

Në Maqedoninë e Veriut, lufta kryesore që po bëhet është nëse do të arrijnë votat e nevojshme që të ndryshohet Kushtetuta dhe të vazhdojnë mëtutje me integrimet evropiane. Nëse nuk ndodh kjo, atëherë Shqipëria ka kërkuar që të mos pengohet për shkak të Maqedonisë së Veriut dhe e ndarë të vazhdojë rrugën drejt Brukselit. Edhe nga Bullgaria kanë dhënë sinjale pozitive se Shqipëria mund të vazhdojë tutje, por Shkupi zyrtar nëse nuk i bën ndryshimet e nevojshme nuk lëviz përpara.

Sigurisht që temë e nxehtë politike do të jetë edhe çështja e “Open Balkan”, ku Rama i ftonte pareshtur të gjitha shtetet që t’i bashkoheshin kësaj nisme. Në fund, kur e pa se me një politikë distancuese të Serbisë nuk mund të vazhdohet më tutje, pa përfshirjen e Kosovës si shtet i barabartë, atëherë deklaroi publikisht se kjo nismë është e vdekur, shkruan “Zhurnal.mk”.

Pas largimit nga Ballkani i Hapur, Rama pritet të bisedojë me kryeministrin Kovaçevski për Procesin e Berlinit, si i vetmi opsion që mbetet ende i hapur sa i përket mundësisë së bashkëpunimit më të ngushtë ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre të integrimit evropian.

Procesi i Berlinit u vendos në vitin 2014 me iniciativën e ish-kancelares gjermane, Angela Merkel, me qëllim të lidhjes dhe integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor përpara se të anëtarësohen në Bashkimin Evropian.

Procesi i Berlinit shërben si një platformë për bashkëpunimin e nivelit të lartë ndërmjet përfaqësuesve zyrtarë të nivelit të lartë të së ashtuquajturës Gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor, e cila përbëhet nga Shqipëria, Bosnje e Hercegovina, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Procesi përfshin edhe institucionet e BE-së, institucionet financiare ndërkombëtare dhe shoqërinë civile në rajon.

Samiti i nëntorit në Berlin përfaqëson, gjithashtu, ringjalljen e procesit, që kur kancelari Olaf Scholz drejton Qeverinë në Berlin. Sipas njoftimit, samiti i ardhshëm do të organizohet në kryeqytetin shqiptar, Tiranë.

Në Maqedoninë e Veriut kryeministri shqiptarë do të takohet edhe me kryetarë të partive politike shqiptare, më të cilët do të bisedojë për të vazhduar rrugën e integrimit, sidomos ndryshimet kushtetuese. Nuk dihet nëse Rama do të përkrahë idenë e partive opozitare që gjatë hapjes së Kushtetutës të hiqet “20 përqindëshi” si referim për gjuhën shqipe, shkruan “Zhurnal.mk”.

Deri më tani Tirana zyrtare nuk ka dhënë një qëndrim rreth kësaj çështje, edhe pse është e logjikshme që pas gjithë realitetit të ri, gjuha shqipe duhet të definohet qartë se gjuhë zyrtare dhe jo si gjuha që e flasin 20 për qind e popullatës.

Pas lëvizjeve të fundit dhe përçarjeve brenda BDI-së, nuk dihet si do të votojnë të gjithë deputetët shqiptare, prandaj takimi i Ramës më partitë shqiptare do të duhet të jetë një simbolikë e koordinimit të mëtutjeshëm në interesin kombëtar.

Në Shkup, temë e kryeministrin Rama dhe kryeministrit Kovaçevski sigurisht se do të jenë edhe projektet e përbashkëta midis dy vendeve siç është ndërtimi i Korridorit 8, Rruga e Arbrit dhe Porti i Thatë në Strugë.