Fenomeni i rrallë që do të shohim gjatë gushtit s’do të përsëritet deri në vitin 2037

Në gusht, një “superhënë” do të shfaqet në qiell dy herë – herën e parë në natën midis 31 korrikut dhe 1 gushtit dhe herën e dytë 30 ditë më vonë.

“Superhëna” e dytë në të njëjtin muaj përfaqëson një fenomen të rrallë të njohur si “hëna blu”, shkruan Sky News.

Herën e parë Hëna do të jetë në një distancë prej 357.530 kilometra nga Toka, dhe herën e dytë do të jetë pak më afër, në 357.344 kilometra.

Herën e fundit që dy “superhëna” u shfaqën në të njëjtin muaj ishte në vitin 2018, dhe fenomeni tjetër i tillë nuk do të ndodhë para vitit 2037, sipas astronomëve.

Fenomeni “superhëna” ndodh kur Hëna e plotë është afër pikës së saj më të afërt me Tokën, kështu që duket deri në 14 për qind më e madhe dhe 30 për qind më e ndritshme krahasuar me atë kur është më larg.

Përveç kësaj, më 1 gusht, Mërkuri dhe Marsi do të jenë të dukshëm në qiell, sipas gazetës britanike.