Fjalë përmbyllëse në procesin gjyqësor për zjarrin në spitalin modular në Tetovë

Në Gjykatën Themelore Tetovë sot duhet të vazhdojë procesi gjyqësor me fjalë përmbyllëse të Prokurorisë dhe mbrojtjes së të pandehurve, të cilët ngarkohen për disa vepra penale të ndërlidhura me zjarrin në spitalin modular në shtator të vitit 2021, kur humbën jetën14 persona.

Kjo është përpjekja e dytë që të ketë fjalime përmbyllëse pasi që seanca më 25 prill u anulua për sot për shkak të mungesës së një të pandehuri, drejtorit të atëhershëm, Florim Besimi. Avokati i tij, i cili ishte i pranishëm në gjykim para dy javëve, arsyetoi se Besimi për shkaqe shëndetore nuk mund të marrë në gjykim. Gjykatësi, Jordan Vellkovski e caktoi fillimin e seancës në ora 10.

Procedura dëshmuese në procesin gjyqësor përfundoi me dëshmitarët e fundit, të cilët janë marrë në pyetje më 6 prill.

Ish-drejtorët, Florim Besimi dhe Artan Etemi, akuzohen për veprën penale “vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”, ndërsa mjeku Boban Vuçevski për “mosrespektim të rregullave shëndetësore gjatë epidemisë”. Spitali klinik si person juridik akuzohet për dy vepra penale – “shkaktim i rrezikut publik” dhe “mosrespektim të rregullave shëndetësore gjatë epidemisë”.

Në fillim të gjykimit, të pandehurit deklaruan se e kuptojnë akuzën, por se nuk ndihen fajtorë. Gjyqi filloi në dhjetor të vitit 2022.