Gerapetritis: Kërkojmë nga RMV harmonizim me Marrëveshjen e Prespës

Të gjithë e kuptojmë se udhëheqësia e re e Maqedonisë së Veriut mundet në mënyrë ideologjike të ketë mendim më të ndryshëm, por ekzistojnë çështje të cilat janë edhe mbi vullnetin e tyre. Nuk bëhet fjalë për çështje të vetëvendosjes së funksionarëve, politikanëve, këtë të gjithë e kuptojmë, por bëhet fjalë për respektim të asaj për çka jemi marrë vesh, theksoi ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Jorgos Gerapetritis në intervistën për televizionin grek ERT, duke theksuar se ata kërkojnë harmonizim të plotë me Marrëveshjen e Prespës.

Shefi i diplomacisë greke porositi se “nga momenti kur një marrëveshje ndërkombëtare ratifikohet nga Parlamentet fiton fuqi më të lartë se ligjet dhe asnjë nga të dyja palët nuk mundet njëanshëm ta rishikojë” dhe madje edhe të mos pajtohet me atë që është përfshirë në marrëveshje, “duhet ta zbatojë”.

“Emri Republika e Maqedonisë së Veriut në Marrëveshjen e Prespës, në bazë të nenit 20, nuk mundet nën asnjë rrethanë të ndryshohet. Çështja e emrit nuk është nga ato çështje që mund të ndryshohen, as me pajtueshmëri të ndërsjellë. Kështu, askund nuk ngritet çështja për ndryshim. Ashtu siç është dakorduar nga të dyja palët dhe është ratifikuar, i detyron edhe rendin e sotëm politik grek dhe rendin politik të Maqedonisë së Veriut“, sqaroi Gerapetritis.

Për mundësinë që Greqia të vendosë veto për perspektivën evropiane të vendit, shefi i diplomacisë greke sqaroi se vetoja është “e drejtë institucionale e vendeve anëtare të BE-së” dhe përsëriti se respektimi i Marrëveshjes së Prespës është parakusht për progres drejt BE.

“Për Maqedoninë e Veriut, zbatimi dinjitoz i Marrëveshjes së Prespës, përfaqëson paraskusht të qartë për rrjedhën e saj integruese, gjegjësisht përfaqëson parakusht për progres të proceseve integruese“, tha shefi i diplomacisë greke dhe shtoi se ata nga afër i ndjekin ngjarjet.

Foli edhe për, siç tha, reagimin e shpejtë edhe të Greqisë edhe të BE-së dhe zbuloi se me nismë të MPJ greke menjëherë ishin informuar autoritetet evropiane, gjegjësisht se “ekziston reagim i koordinuar në drejtim të harmonizimit”.

Në intervistën e mëngjesit për televizionin shtetëror ERT, Gerapetritis disa herë përsëriti se kërkojnë “harmonizim me Marrëveshjen e Prespës edhe nga ana tjetër”, edhe një herë sqaroi se edhepse qëndrimi i Demokracisë së Re si opozitë ishte më i ndryshëm, tani si Qeveri “në kuadër të vazhdimësisë së shtetit dhe të mandatit kushtetues se nuk mundet cilado Qeveri njëanshëm të rishikojë marrëveshje”, ata e zbatojnë.

Për tre memorandumet të cilat ende nuk janë ratifikuar në Parlamentin grek, theksoi se ngjarjet e fundit e arsyetojnë politikën e tyre dhe shtoi se ratifikimi varet nga harmonizimi i plotë me atë që janë marrë vesh.

“Ne do t’i sjellim në Parlament kur do të ekzistojë koha politike kyçe, gjegjësisht kur do të bindet pala greke se ekziston harmonizim i plotë. Të gjithë e dimë se ekzistojnë pika për të cilat vendi fqinj nuk është harmonizuar“, tha shefi i diplomacisë greke.