Gjermania, e gatshme të furnizojë me armë Indinë

Ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius në një intervistë për mediat u shpreh në mbështetje të zgjerimit të furnizimeve me armë për Indinë. Gjermania është e gatshme të “mbështesë partnerë të besueshëm”.

Nuk është në interesin e Gjermanisë që India të mbetet e varur nga furnizimet ruse me armë për një afat të gjatë”, tha ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë Boris Pistorius për DW në një intervistë në Xhakarta, kryeqyteti indonezian. Por një vendim i tillë nuk i takon vetëm Gjermanisë, shtoi Pistorius. “Është një problem që duhet ta zgjidhim së bashku me partnerët tanë. Por sigurisht, në plan afatgjatë, ne nuk mund të kemi interes ta bëjmë Indinë kaq të varur nga Rusia për furnizime me armë dhe materiale të tjera.”

Ministri gjerman i Mbrojtjes udhëtoi të hënën në Indi nga Indonezia. Vende si Indonezia dhe India mund të jenë pjesë e një koalicioni global si “partnerë të besueshëm” për të “mbështetur rendin e bazuar në rregulla”, shpjegoi ministri. “Ne jemi gati të mbështesim partnerët tanë të besueshëm si Indonezia dhe India. Dhe kjo përfshin, për shembull, dërgimin e nëndetëseve.”

Indonezia është gjithashtu një nga “partnerët e besueshëm” të Gjermanisë.

Në udhëtimin e tij në Indi, ai shoqërohet nga përfaqësues të industrisë gjermane të mbrojtjes. Në të njëjtën kohë, ministri gjerman i Mbrojtjes theksoi se Gjermania do të mbetet e kujdesshme në furnizimin e saj me armë. “Ne duhet të gjejmë një ekuilibër midis furnizimit me armë për partnerë të besueshëm, nga njëra anë, dhe kontrollit dhe kufizimit të dërgesave të armëve në mbarë botën, nga ana tjetër,” tha politikani socialdemokrat. “Sepse ne nuk kemi më nevojë për kaq shumë armë në botë, ne nuk duhet të kemi shumë armë në botë.”

Pistoriusi po bën udhëtimin e tij të parë në Azi si Ministër i Mbrojtjes. Ndalesa e tij e parë ishte Singapori, ku mori pjesë në Dialogun Shangri-La, një nga konferencat kryesore të sigurisë në rajon. “Ky rajon do të formësojë shekullin e 21-të në aspektin e politikës së sigurisë, lirisë së lundrimit dhe sfidave në ekonominë ndërkombëtare”, vazhdoi ai në intervistën për Deutsche Welle. Dhe kjo është arsyeja pse ky rajon është i rëndësishëm jo vetëm për Gjermaninë, por për të gjithë Evropën.

Lidhur me shqetësimet e sigurisë në lidhje me Kinën, ministri gjerman i Mbrojtjes theksoi se qëllimi nuk ishte shkëputja e plotë nga Kina. Por ai shtoi: “Nëse ne jemi duke menduar seriozisht për uljen e rrezikut dhe jo shkëputjen, dhe për t’u bërë një partner serioz dhe i besueshëm në rajon, atëherë të paktën duhet të jemi të përgatitur të diskutojmë se si mund t’i mbështesim partnerët tanë në rajon, edhe në çështjet e mbrojtjes.

Në të njëjtën kohë, ai u bëri thirrje Kinës dhe Shteteve të Bashkuara që të intensifikojnë dialogun e tyre për të ulur tensionet. “Të dyja palët duhet të jenë shumë të interesuara të kthehen në tryezë për të negociuar dhe për të mbajtur kontakte,” kërkoi ai. “Sepse përndryshe hapësira për keqkuptime dhe rreziku i përshkallëzimit vetëm sa do të rritet. Ata të dy e dinë këtë dhe kjo është arsyeja pse jam i sigurt se do të kthehen në tryezën e negociatave.”

Tanke për Ukrainën: Gjermania beson se Kievi nuk do t’i përdorë ato në territorin rus

Për luftën në Ukrainë, Pistoriusi theksoi se Gjermania është kundër përdorimit në tokën ruse të armëve gjermane të furnizuara në Ukrainë. “Unë gjithmonë theksoj se ligji ndërkombëtar e lejon Ukrainën ta bëjë këtë,” tha ai. “Megjithatë, Gjermania – si Shtetet e Bashkuara, për shembull – ka theksuar gjithmonë se ne nuk duam që armët tona të përdoren për të kaluar kufirin rus.” Pistoriusi ishte i bindur se garancitë e Ukrainës mund të besohen në këtë drejtim.