Gjuha shqipe shtohet në programin e gjuhëve të huaja në Universitetin e Harvardit

Në Universitetin e Harvardit, gjuha shqipe u shtua në listën e gjuhëve të huaja që mësohen. Kjo u realizua pas kërkesës së studentëve shqiptaro-amerikanë dhe mbështetjes së punonjësve shqiptaro-amerikanë në administratë. Programi ofron lëndën e gjuhës shqipe në tri nivele të ndryshme. Kolegu Burim Goxhuli ka sjellur më shumë hollësi mbi këtë program.

Ligjeruesi Faton Limani, thotë se studentët që mësojnë gjuhën shqipe nuk mësojnë vetëm bazën e gjuhës, por shumë më shumë.

“Studentët mësojnë strukturën e gjuhës, gramatikën dhe morfologjinë, por edhe të folurit, shkrimin dhe leximin. Gjithashtu, unë si ligjerues, përveç atyre gjërave bazike, që u duhen studentëve për ta mësuar, për ta folur dhe për ta shkruar gjuhën shqipe, kam futur edhe pjesën e kulturës dhe historisë. Për çdo semestër studentët bëjnë nga një prezentim, ku zgjedhin tema të caktuara si historia e alfabetit të gjuhës shqipe, historia e shqiptarëve, apo folklori, muzika, tradita e të tjera”, thotë zoti Limani për Zërin e Amerikës.

Edona Çosoviç, një studente shqiptaro-amerikane, parashtroi kërkesën për të përfshirë gjuhën shqipe në Universitetin e Harvardit. Ajo dëshironte të mësojë më shumë për origjinën e saj, siç tregon në një intervistë për Zërin e Amerikës.

“Kjo është një arsye e rëndësishme për ta pasur këtë lëndë në Harvard. Unë kam dashur ta mësoj gjuhën, është shumë e rëndësishme për mua. Të dy prindërit e mi janë shqiptarë. Dua që edhe fëmijët e mi të flasin shqip. Por dua ta kem edhe kulturën. Të mësoj më shumë edhe mbi historinë e Shqipërisë. Unë jam shqiptare nga Mali i Zi dhe nuk i di të gjitha ndodhitë në Shqipëri dhe Kosovë. Tash, pak nga pak, në çdo klasë unë mësoj më shumë”, tha Çosoviç për Zërin e Amerikës.

Në Harvard, gjuha shqipe jepet si lëndë mësimore për herë të parë këtë vit. Ka 5 studentë, 3 prej tyre janë shqiptaro-amerikanë. Kur ata mbarojnë studimet, mund të ndikojnë pozitivisht si investitorë ose ambasadorë të vendit tonë. Gjuha shqipe mësohet edhe në disa universitete të tjera në Shtetet e Bashkuara.

“Këta studentë nesër kur të dalin nga universiteti zakonisht shkojnë nëpër vendet e tyre apo nëpër komunitetet e tyre dhe ka një ndikim shumë-dimensional sepse ata mbesin të informuar për Shqipërinë, dinë për shqiptarët në përgjithësi. Kjo mund të jetë një gjë shumë pozitive sepse ata nesër mund të jenë investitorë potencialë, ose ambasadorë potencialë të vendeve të tyre”, thotë Limani. (politiko.mk)