Grubi: Kallëzimi penal ndaj Kreshnik Bekteshit është përndjekje politike

Artan Grubi ka reaguar ndaj kallëzimit penal që SPB-Ohër ka bërë ndaj ish-ministrit të Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi

“Kërcënimet dhe përndjekja politike nga partitë qeverisë dhe institucionet monoetnike shtetërore janë vazhdimësi e strategjisë dhe përpjekjeve për ta shkatëruar përfaqësimin e fuqishëm dhe legjitim politik shqiptar dhe për ta zëvendësuar me puthadorë servil që aminojnë monoetnicitetin shtetëror në këmbim të lejës për të zhvilluar lojëra politike mahallash. Njëkohësisht ju shërben për të mbuluar 300 skandalet në 30 ditët e para që na kthyen 30 vjet mbrapa me paaftësinë dhe paditurinë masive për ta drejtuar shtetin”, shkruan Grubi.

Ndryshe, në buletinin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, i cili evidenton vepra penale më karakteristike dhe publikohet çdo ditë, për datën 25.07.2024, diku në pozitën e 20-të në dokument, thuhet se dyshohet një 39-vjeçar nga Kërçova për veprën penale të “pengimit të drejtësisë”, e kryer një ditë para zgjedhjeve parlamentare, raporton televizioni Telma.

Sipas këtij televizioni, pas inicialeve K.B. fshihet emri i një ministri në detyrë gjatë asaj periudhe.

Ministria e Brendshme nuk bëri me dije se për këtë vepër serioze të kryer ndaj një shefi policie po procedojnë një ish-funksionar të lartë, pra një ministër.