Grubi priti në takim ministrin e administratës publike të Malit të Zi, Marash Dukaj

Zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi priti sot në takim ministrin e administratës publike të Malit të Zi, Marash Dukaj.

Grubi përmes disa fotografive nga takimi, në Facebook shkruan se dy vendet gëzojnë raporte të shkëlqyera bilaterale, ndaj gjithmonë dhe mbështetja në proceset vendimtare ndërmjet dy vendeve nuk ka munguar asnjëherë.

Statusi i plotë:

Ishte kënaqësi të mirëprisja sot në takim në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut ministrin e administratës publike të Malit të Zi, z. Marash Dukaj.

Diskutuam mbi bashkëpunimin e shkëlqyeshëm bilateral mes vendeve tona dhe imperativin e përforcimit të koordinimit tonë institucional në rrugën e përbashkët eurointegruese.

Njoftova ministrin Dukaj mbi përcaktimin e palëkundur proeuropian të koalicionit qeverisës në vendin tonë dhe për ndërmarrjen tashmë të hapit kyç për miratimin e ndryshimeve kushtetuese në Kuvend.

Mbështetja e ndërsjelltë në tejkalimin e sfidave drejt horizontit europian dhe projektimi i përbashkët i së ardhmës progresive është çelësi i vetëm i suksesit që kemi në duar.