Grubi uron bashkëqytetarët e komunitetit rom me rastin e ditës së tyre ndërkombëtare

Zëvendëskryeministri dhe ministri për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Artan Grubi përmes një postimi në faqen e tij në rrjetin social Facebook ka uruar bashkëqytetarët e komunitetit rom me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Romëve.
Në postimin e tij Grubi ka potencuar dimensionin e ri të bashkëpunimit me komunitetin rom në kuadër të Frontit Europian në luftën kundër diskriminimit  dhe margjinalizimit si fenomene destruktive shoqërore që duhet të marrin fund.
Në vazhdim postimi i plotë i Grubit:
Të nderuar bashkëqytetarë të komunitetit rom,
Në ditën tuaj ndërkombëtare shpreh respektin tim ndaj të gjitha përpjekjeve tuaja të sinqerta për barazi dhe drejtësi shoqërore, si dhe ndaj kontributit që keni dhënë në çdo hap të zhvillimit të vendit.
Për dallim nga vitet e kaluara, kjo ngjarje e sotme e gjen vendin tonë në një kapitull të ri bashkëjetese, atë të bashkëpunimit të komuniteteve tona mbi të njejtat synime përparimtare dhe europiane në një front të përbashkët – Frontin Europian.
Do ta vazhdojmë akoma më fuqishëm të gjithë bashkë luftën kundër diskriminimit dhe margjinalizimit dhe punën e sinqertë për përforcimin e një themeleve të një shteti që jep mundësi të barabarta për të gjithë.