“Jeta në sport ka të bëjë me përpjekjen”, – thotë trajneri i Manchester City, ndërsa kërkon të largojë presionin për të fituar titullin e parë të Champions League me “qytetarët”. Është bërë shumë për presionin ndaj Manchester City për të provuar statusin e një force të madhe në futbollin botëror, duke fituar kompeticionin më të rëndësishëm për klubet.
Nënkampionët e Europës në vitin 2021 u eliminuan nga Real Madridi në gjysmëfinalet e sezonit të kaluar, por kanë një shans tjetër për t’ia dalë, teksa do të përballen me Interin në Stamboll, më 10 qershor.
Pep Guardiola është i etur për ta ulur presionin në anën e tij. 52-vjeçari e ka fituar tri herë kompeticionin në fjalë me Barcelonën, një herë si lojtar dhe dy herë si trajner, por thotë për “UEFA.com” se pjesëmarrja e rregullt dhe me sukses është po aq e rëndësishme sa edhe fitorja:
“Shumë klube kanë shkatërruar projekte dhe ide, sepse nuk kanë arritur ta fitojnë këtë kompeticion. Shumë janë bërë klube të mëdha, sepse ia kanë dale në Champions. Edhe nëse nuk mendoj kështu, e kuptoj që gjithçka kemi bërë gjatë gjithë këtyre viteve ka qenë e shkëlqyer. Do të ketë kuptim vetëm për të tjerët nëse e fitojmë Ligën e Kampionëve.
Nëse nuk e fitojmë, gjërat do të duken se kanë më pak kuptim. Është pak e padrejtë, por ne duhet ta pranojmë këtë. Ne gjithashtu duhet të pranojmë që, nëse duam të bëjmë një hap përfundimtar dhe të jemi klub i madh, duhet të fitojmë në Evropë. Po, duhet ta fitojmë Ligën e Kampionëve, nuk mund ta shmangim atë, por më së shumti gjëja e rëndësishme është të jesh gjithmonë aty.
Dy vite më parë ishim në finale, pas dy vitesh jemi kthyer. Do të përpiqemi përsëri dhe gjëja më e rëndësishme është të kthehemi këtu pas disa vitesh. Kjo është ajo që ju bën një klub të madh; vit pas viti arrini në fazat e fundit të Ligës së Kampionëve dhe ndoshta fitoni edhe titullin. Në sport dështimi nuk ekziston.
Të pranosh që ke dështuar është si të thuash se kundërshtari yt është i pavlerë. Pra, ka mundësi që kundërshtari të luajë më mirë. Thjesht duhet të provosh, sporti është i tillë. Provo përsëri dhe ngrihu. Kur fiton, duhet të festosh siç duhet edhe privatisht. Kur humbet, mund të qash pak dhe ta kthesh faqen të nesërmen. Ky është sporti; nëse provon, nuk dështon.
Ne do të shkojmë në Stamboll për të bërë realitet një ëndërr, do të përpiqemi të luajmë një ndeshje të mirë. E patëm mundësinë dy vite më parë dhe nuk ia dolëm, ndërsa vitin e kaluar për pak e humbëm atë. Këtë vit jemi në finale dhe do të përpiqemi të japim më të mirën. Ne do t’i qasemi kësaj ndeshjeje si gjithmonë në Premier League.
Do të sigurojmë që lojtarët të jenë të fokusuar në atë që duhet të bëjnë, asgjë tjetër. Si trajner kam arritur në 10 gjysmëfinale të tilla, kam luajtur vetë në tri finale, kam fituar dy dhe tani jam në finalen time të katërt. Champions-i më ka dhënë më shumë seç mund ta imagjinoja ndonjëherë.
Nëse jeta ime do të përfundonte sot, do të kisha fituar një Champions si lojtar me klubin që e dua shumë dhe dy të tjerë si trajner. Futbolli të jep dhe të merr. Jeta është plot padrejtësi, por gjithçka që është e padrejtë për mua është e drejtë për Atletico Madridin, për Real Madridin, gjithashtu për Barcelonën.
Kjo është mënyra se si funksionon bota. Ne gjithmonë duam më shumë dhe është e gabuar. Duhet të jesh ambicioz, por jo i pangopur. Ky kompeticion më ka dhuruar momente shumë të trishtuara që më kanë lënduar, të cilat do të mbeten përgjithmonë në mendjen time, por edhe momente të bukura, që do të mbeten përgjithmonë me mua. Kështu funksionon jeta dhe sporti, gjithashtu”.