Gurthemeli i Korridorit 10 D në Prilep/Grubi: Ndërtimin s’e ndal dot as “Sveti Mickoski”!

“Do t’i vijë fundi pengmarrjes dhe bllokadës opozitare. Ashtu siç nuk e bllokuan këtë projekt, askush nuk mund ta ndalojë as integrimin e vendit tonë në BE. Hipni të gjithë në trenin që çon drejt Brukselit sepse nuk ka kush ta ndalë”. Kështu tha midis tjerash në fjalën e tij, Artan Grubi – zëvendës kryeministër i parë dhe ministër për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, në ceremoninë e vendosjes së gurthemelit të autostradës Prilep – Manastir të Korridorit 10D, informon Indeks.mk

“Kënaqësi që jemi sot së bashku, që ju shoh në këtë rast kaq madhështor në këtë moment madhështor. Falënderime dhe mirënjohje për secilin individ, politikan, drejtor e deputet që përkrah këtë projekt. Mirënjohje BE-së, SHBA-ve, Republikës Turke për përkrahje nga fillimi e deri më sot, deri në përfundim të projektit. Fakti që shumica absolute e deputetëve janë në përkrahje të këtij projekti, domethënë që ai do të bëhet, ndaj s’ka Mickoski, as Shën Micko që mund ta ndalojë… Atë që sot e shihni në kuvend, është mesazh që i erdhi fundi pengmarrjes së ligjeve, dhe të ardhmes së këtij populli. Do t’i vijë fundi pengmarrjes dhe bllokadës opozitare, ashtu siç nuk e bllokuan këtë projekt, askush nuk mund ta ndalojë dhe integrimin e vendit tonë në BE. Hipni të gjithë në trenin që çon drejt Brukselit sepse nuk ka kush ta ndalë!”, tha Grubi në fjalën e tij, përcjell Indeks.mk

Kryeministri Dimitar Kovaçevski në fjalën e tij në vendosjen e gurthemelit të Korridorit 10 D – në Prilep tha se jam i lumtur që ky projekt përkrahet nga BE dhe SHBA, dhe këtë e kuptova nga vizita ime në SHBA, informon Indeks.mk

“Kam kënaqësi që sot vendosim gurthemelin e Korridorit 10D. Një projekt që sjell të mira ekonomike, lëvizje më të lirë dhe të mira të tjera për të gjithë qytetarët. Jam i lumtur që ky projekt përkrahet nga BE dhe SHBA, dhe këtë e kuptova nga vizita ime në SHBA. I lumtur që ‘Bechtel dhe Enka’ merret me këtë projekt, sepse ky projekt paraqet investim kapital për vendin tonë, ndaj më gëzon fakti që kemi pasur shumë ministra nga kjo anë, ose nga Prilepi ose nga Manastiri dhe ky projekt nuk u bë, mirëpo ja tani erdhi koha që ky projekt të bëhet dhe të mos ngelet thjeshtë ne letër, port të lidhin vendin tonë më lindjen dhe perëndimin, më portet në Shqipëri e Bullgari”, tha kryeministri Kovaçevski në fjalën e tij.

Ai potencoi se me këtë projekt po investohet në 8000 vende të reja punë, rritje ekonomike dhe rritje të BPV, krijimin e bizneseve të reja dhe punësime afatgjatë në këto biznese.
“Hapja e bizneseve të reja nënkupton taksapagues të rinj dhe rritje të buxhetit në arkën shtetërore, për t’i kthyer pastaj këto mjete në investime në shkolla, shëndetësi, rrugë etj… Më këtë projekt trasojmë rrugën drejt zhvillimit ekonomik të vendit, ne flasim me shifra dhe projekte konkrete, sepse investimi në rrugë është investim të ardhmëri më të sigurt. Do të vazhdojmë rrugën tonë të investimeve në progresin e vendit, ndaj uroj punë të mbarë në këtë projekt”, potencoi Kovaçevski.

Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski në fjalën e tij në vendosjen e gurthemelit të Korridorit 10 D në Prilep, tha se çdo denar i investuar i shtetit është investim për qytetarët, informon Indeks.mk

“Vërejmë sot shumë mjete pune që vazhdimisht po punojnë në rehabilitimin dhe sistemimin e rrugëve, ashtu siç e do standardi europian. Sot është kënaqësi që të fillojmë këtë projekt në rajonin e Pellagonisë, një aks me rëndësi të madhe për qytetarët ndaj ky projekt është mesazh i fortë për të gjithë se po investojmë në projekte kapitale. Çdo denar i investuar i shtetit është investim për qytetarët. Sot fillon ndërtimi i një rruge të re dhe super moderne, Ky projekt ndërtohet nga një kompani serioze, me ndihmën dhe punësimin e shumë personave profesionistë që do të japin kontributin e tyre në këtë projekt. Duke miratuar ligjet e reja në përshpejtojmë ndërtimin e këtyre autostradave”, tha ministri Boçvarski.

Rajoni i Pellagonisë, shtoi ai, po ndërtohet dhe po bëhet më i zhvilluar, ndaj investoni në këto vende, sepse shteti përmes këtyre projekteve infrastrukturore ju përkrah dhe ua lehtëson procesin e punës.

“Kemi meremetuar deri më tani shumë rrugë, e po ashtu po projektojmë dhe shumë rrugë të tjera tek të cilat do të investohet. Maqedonia e Veriut patjetër të jetë shtet me infrastrukturë moderne!”, potencoi Boçvarski.

Drejtori i Ndërmarrjes Publike për “Rrugë Shtetërore” – Ejup Rustemi në fjalën e tij në vendosjen e gurthemelit të Korridorit 10 D në Prilep, tha se për vendin tonë Korridoret 8 dhe 10D janë mundësi më e mirë për lidhjen me rajonin, projekti më i madh infrastrukturor dhe strategjik deri më tani, sepse rruga europine e Korridorit 8 është europiane, lidhje e rëndësishme për lindjen dhe perëndimin, na lidh me dy porte, me Burgazin në Bullgari dhe Durrësin në Shqipëri.

“Po aq domethënës është edhe 10D që na lidh me Greqinë, ndaj sot jemi këtu për të nisur hulumtimet gjeo-mekanike në këtë vend dhe të lidhim dy qendrat e Pellagonisë, Prilepin dhe Manastirin. Projektet në këtë rajon nuk do të ndalojnë, ndaj po ndërtojmë për të reduktuar kohën, për të pasur infrastrukturë moderne dhe rrugë të sigurta. Më këto autostrada do të rritet ekonomia vendore, vende të reja të punës, prosperitet ekonomik për vendin tonë…”, theksoi Rustemi.

Zëvendës-ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shkup, Eric Mayer, në fjalën e tij në ceremoninë e vënies së gurthemelit të Korridorit 10 D në Prilep, tha se këto projekte sjellin investime, sepse këto ruta të transportit do të lehtësojnë qarkullimin tregtar.

“Ditë e rëndësishme për RMV, ditë kur lidhen Prilepi dhe Manastiri me autostradë moderne dhe të sigurtë, pas projektit të korridorit 8 të promovuar javë më parë. Këto projekte sjellin investime, sepse këto ruta të transportit do të lehtësojnë qarkullimin tregtar, sjellin benefite të reja ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës. Me punë të zellshme, natyrisht që jemi në rrugën drejt suksesit. Uroj që së shpejti të shohim rezultatin e një punë të mrekullueshme”, deklaroi Mayer.

Hasan Mehmet Sekizqok – Ambasadori i Turqisë në Maqedoninë e Veriut në fjalën e tij në këtë solemnitet, tha se me këtë autostrade do të lehtësohet transporti, tregtia dhe do të përfitoni rritje ekonimike.

“I lumtur që jam sot këtu, duke përuruar një projekt infrastrukturor që Turqia e ka përkrahur gjithmonë. Me këtë autostradë do të lehtësohet transporti, tregtia dhe do të përfitoni rritje ekonomike dhe klimë më të mirë biznesit do të hapë po ashtu edhe vende të reja pune. Bechteli ka ndërtuar autostrada shumë të mira në Ballkan, e po ashtu nga ky vit kam kënaqësinë që Bechtelin dhe Enkan do t’i kemi dhe në Maqedoni, sepse janë kompani që ndërtojnë me standarde të larta dhe nuk njohin problem infrastrukturore me kodra apo male. Uroj suksese për këtë projekt”, tha Hasan Mehmet Sekizqok – ambasadori i Turqisë në Shkup.

Justin Siberel, president i Bechtel dhe Enka-s për Evropë, Afrikë dhe Lindjen e Mesme në fjalën e tij në ceremoninë e vendosjes së gurthemelit të Korridorit 10 D, tha se me padurim presim të fillojmë, të punojmë me përkushtim dhe të shohim rezultatin final të këtij projekti të madh infrastrukturor, informon Indeks.mk
“Kënaqësi që sot jam këtu, në këtë aktivitet përgatitor për këtë projekt të rëndësishëm infrastrukturor. Projekt që lehtëson qarkullimin e transportit dhe mallrave, rritje ekonomike, punësime të reja. Bechtel dhe Enka ka kryer punë të suksesshme në Kroaci, Kosovë, Shqipëri etj… Më padurim presim të fillojmë, të punojmë me përkushtim dhe të shohim rezultatin final të këtij projekti të madh infrastrukturor”, tha Siberel.

Për tre seksionet e tjera të autostradës së Korridorit 8, ceremonia e vendosjes së gurthemelit u mbajt muajin e kaluar. Në Komisionin parlamentar për Çështje Evropiane tanimë ka nisur debati për ndryshimet në pesë ligjet që kanë të bëjnë me ndërtimin e korridoreve, të cilat janë propozuar nga Qeveria në procedurë të shkurtuar me flamur europian, me arsyetimin se këto korridore janë pjesë e rrjetit trans-europian të transportit dhe se është e nevojshme të bëhet lehtësimi i procedurave për ndërtim më të lirë dhe më të shpejtë.

Marrëveshja me “Bechtel dhe Enka”, një partner strategjik i angazhuar me ligj të posaçëm si për projektimin ashtu edhe për ndërtimin e autostradave, ka hyrë në fuqi më datën 22 të muajit të kaluar. Përmes Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore tashmë janë transferuar 117 milionë eurot e para për aktivitetet përgatitore në pritje të punimeve të ndërtimit dhe me Programin për financimin e seksioneve të korridoreve janë paraparë gjithsej 243 milionë euro për këtë vit. Vlera totale e projektit, sipas njoftimeve fillestare nga Qeveria, do të jetë 1.3 miliardë euro, si dhe 300 milionë euro shtesë për shpronësim.(Indeks.mk)