Haradinaj dhe Limaj pritet të dëgjohen si dëshmitarë në gjykimin ndaj Begajt dhe të tjerëve

Gjykata Themelore në Prishtinë, të enjten, ka aprovuar propozimin e avokatit Ymer Huruglica, mbrojtës i të akuzuarit Bajram Hasani, ish-ministër i Tregtisë dhe Industrisë, për dëgjimin e Ramush Hajrednajt ish-kryeministër dhe Fatmr Limaj ish-zëvendëskryeministër në rastin ku Hasani bashkë me ish-zëvendësministrin Faton Thaqi dhe ish-kryetarin e Malishevës, Ragip Begaj po akuzohen për korrupsion.

Bashkë më ta po akuzohen edhe Bashkim Krasniqi, drejtor i Gjeodezisë në Komunën e Malishevës, Malë Krasniqi, shefi i Gjeodezisë në Komunën e Malishevës, Nazmi Kafexholli, inspektor i Agjencisë Pyjore të Kosovës dhe Ahmet Rrahmanaj, i cili po akuzohet për shpëlarje të parave, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mbrojtësi i të akuzuarit Hasani, avokati Huruglica, një propozim të tillë e bëri me arsyetimin se në kohën kur ka qenë kryeministër Haradinaj është marrë vendimi që zonat kadastrale Bellanicë, Senik dhe Banjë të shpallen zona me interes të veçantë për themelimin e zonës ekonomike.

Sipas tij, këta dëshmitarë do të sqarojnë cilat kanë qenë arsye që këto tri zona kadastrale të shpallën zona me interes të veçantë pasi i akuzuari Hasani në kohën kur ka qenë Ministër i Tregtisë ka bërë vetëm projektpropozimin në Qeveri.