Hasani: Kërkesa e Kostovskit për rikthimin e emrave të vjetër të rrugëve në Butel, është diskriminuese dhe shovenizëm i pastër

Me ardhjen në krye të komunës së Butelit të Darko Kotevskit nga VMRO-DPMNE, diskriminimi ndaj shqiptarëve vetëm se po rritet, ndërsa gradualisht në saje të veprimeve të pamatura të kryebashkiakut po përkeqësohen edhe marrdhëniet ndër-etnike në këtë komunë.

Veprimet hileqare të Kotevskit vetëm se konfirmojnë politikat anti-shqiptare të partisë së tij, VMRO-DPMNE, të cilat janë të orientuar rrënjësisht kundër shqiptarëve në vendin tonë, si psh kundër ndërtimit të Korridorit 8, por edhe kundër integrimit në Bashkimin Europian dhe miqësisë strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kostovski tanimë ka ngritur një një iniciativë në Qytetin e Shkupit me kërkesë për rikthimin e emrave të vjetër të 38 rrugëve në Komunën e Butelit, mes të cilave kërkonë që të hiqen edhe emrat e personaliteteve dhe ato që lidhen me popullin dhe historin shqiptare.

Kandidati për kryetar të degës së BDI-së në Butel, Muharem Hasani thotë se kërkesa e kryetarit të Komunës së Butelit, Darko Kostovski drejtuar Qytetit të Shkupit për rikthimin e emrave të vjetër të rrugëve në Butel, është jo vetëm diskriminuese, por edhe shovenizëm i pastër.

“Konkretisht, duket se Kostovskit dhe të tillëve si ai, i pengojnë emrat shqip të rrugëve në lagjet ku kryesisht banojnë qytetarë shqiptarë. Kostovski, i zgjedhur edhe me votat e shqiptarëve, i kërkon Qytetit të Shkupit që emrat “Afrim Zhitia”, “Isa Boletini”, “Lorenc Antoni”, “Avni Rrustemi”, “Jashar Bej Shkupi”, “Hafez Ali Korça”… të largohen dhe në vend të tyre të rikthehet “Boro Menkov”, “Dushko Popoviç”, “Ivan Manolev”, “Kosturska”…, të gjitha këto në lagje kryesisht me shumicë shqiptarë. Veç kësaj, Kostovski gënjen kur thotë se kjo kërkesë e tij fashiste bëhet me kërkesë të vet qytetarëve që jetojnë në këto lagje! I bëjmë thirrje Kostovskit ta tërheq kërkesën dhe të sillet si kryetar i të gjithë banorëve të Komunës së Butelit, pasi qytetarët kanë nevojë për investime me qëllim lehtësimin e jetesës dhe jo për ndarje ndëretnike dhe rikthim të një debati që veçmë është i mbyllur”, thotë Hasani.

Bashkimi Demokratik për Integrim reagon ashpër ndaj politikave shoviniste dhe avantureske të VMRO-DPMNE-së e cila, në mungesë të ofertës për një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët, e rikësuar nga ndjekjet penale për krimet në vazhdimësi të funksionarëve të saj, dhe e etur çmendërisht për pushtet, është duke sfiduar në vazhdimësi bashkëjetesën, tolerancën dhe harmoninë ndëretnike në vend.

“Vendimi i fundit i Komunës Butel për të kontestuar vetëm emrat shqip të rrugëve të kësaj komune multietnike në Shkup është provokim i radhës i cili meriton dënim të ashpër nga të gjithë. Bashkëjetesa ndëretnike, demokracia funksionale multietnike, janë vlerat themelore të shtetit tonë të përbashkët dhe vetëm shkurtpamës politikë dhe kundërshtarë të së ardhmes evropiane, mund të llogarisin se duke sfiduar këto vlera për qëllime elektorale apo nacionaliste, mund të kalojnë dhe të japin ndonjë rezultat për ta. Bashkimi Demokratik për Integrim vazhdon të jetë gardian dhe promotor kryesor i bashkëjetesës, tolerancës si dhe mundësisë për shprehjen e lirshme të vlerave identitare dhe kulturore të të gjitha komuniteteve në vend. Sfiduesit e këtyre vlerave do ngelin si pjesê e dështuar dhe e errët e historisë së këtij shteti”, thuhet në reagimin e BDI-së, përcjell Indeks.mk

Në anën tjetër, në reagimin e Aleancës për Shqiptarët dënohet ashpër tentimi i Kryetarit të Komunës së Butelit, për të rikthyer emrat e vjetër të rrugëve dhe për ti hequr emrat shqiptar.
Edhe pse sipas normativave ligjore procedura për riemërime të rrugëve, shesheve dhe bulevardeve është krejt tjetër nga kjo që ka nisur Darko Kostovski dhe VMRO-DPMNE-ja, qartazi shihet fryma nacionaliste dhe anti-shqiptare e VMRO-DPMNE-së. Ndryshe, për shqiptarët e Komunës së Butelit, Darko Kostovski njihet edhe për qasjen e tij destruktive, diskriminuese dhe antishqiptare edhe për bizneset e ndërtimit e investitorët shqiptar, të cilëve u pamundësohet të veprojnë dhe ndërtojnë në këtë komunë.(Indeks.mk)