Hulumtuesja amerikane, Stradner: Vuçiq i dëshiron vetëm paratë e BE-së, s’e do anëtarësimin!

Hulumtuesja amerikane, Ivana Stradner, ka thënë se presidenti serb Aleksandër Vuçiq nuk e dëshiron anëtarësimin në Bashkimin Evropian, por paratë e tij.

Sipas saj, Vuçiq e do vetëm rrugën drejt BE-së pasiqë ka nevojë për para në mënyrë që të mbijetojë në politikë.

Këto komente Stradner i bëri në rrjetin social “X” ku ka bërë share shkrimin e kryetarës së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila kishte shkruar rreth takimit që kishte pasur në Athinë me Vuçiqin.

“Rruga në BE apo anëtarësim në BE?

Vuçiq dëshiron rrugën drejt BE-së, sepse ai ka nevojë për paratë tuaja për mbijetesën e tij politike.

Ai nuk dëshiron anëtarësimin në BE”, ka thënë Stradner.

Ndërsa der Leyen ka shkruar se me presidentin serb ka folur “për nevojën e angazhimit konstruktiv për të de-përshkallëzuar situatën në veri të Kosovës dhe përparimin e Serbisë në rrugën e saj drejt BE-së”.

“Kam folur me presidentin Aleksandër Vuçiq për nevojën e angazhimit konstruktiv për të de-përshkallëzuar situatën në veri të Kosovës dhe përparimin e Serbisë në rrugën e saj drejt BE-së. Integrimi më i ngushtë midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor është jetik, veçanërisht përballë luftës ruse kundër Ukrainës”, ka thënë der Leyen.