Emiratet e Bashkuara Arabe kanë lëshuar urdhër arrest për një person i cili u bë viral në rrjete sociale duke hyrë në një auto sallon me një kuti të mbushur me para dhe duke i kërkuar menaxherit t’ia shesë makinën më të shtrenjtë.
Sipas një raporti të agjencisë shtetërore të lajmeve, WAM, videoja ka fyer dhe tallur shoqërinë emirate dhe nxiti opinionin të dëmshëm publik, transmeton Telegrafi.
Në videon virale, një burrë aziatik i veshur si Sheikh shihet duke tentuar të blejë një makinë me vlerë prej 545 mijë dollarë dhe makina të tjera, derisa përcillej nga dy persona që mbanin paratë e tij.
Sapo hyri në auto sallon u prit nga një punëtore aty duke e pyetur se kush ishte shefi i auto sallonit. Më pas i dha asaj një tufë me para dhe i tha “blije një kafe”.
Pasi iu drejtua shefit të auto sallonit burri i kërkoi atij veturën më të shtrenjtë në dyqan.
Ndërkohë, autoritetet atje kanë urdhëruar ndalimin e burrit në pritje të hetimeve, pasi u akuzua për abuzim me internetin në postimin e propagandës emocionuese që nxit opinionin publik dhe dëmton interesin publik.
Ai u akuzua gjithashtu për publikimin e përmbajtjeve që nuk ishin në përputhje me standardet e përmbajtjes së medias dhe gjithashtu sipas akuzave ka fyer shoqërinë e emirate. /Telegrafi/