I dërguari i posaçëm i Kinës kërkon krijimin e besimit të ndërsjellë në vizitën dyditore në Ukrainë
Li Hui, përfaqësues i posaçëm i qeverisë kineze për çështjet euraziatike, theksoi nevojën për besim të ndërsjellë ndërmjet të gjitha palëve në krizën e Ukrainës dhe për të krijuar kushte për bisedimet e paqes.
Gjatë një vizite dyditore në Uikrainë, Li u takua me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe mbajti bisedime të veçanta me ministrin e Jashtëm Dmytro Kuleba dhe zyrtarë të tjerë të lartë ukrainas nga e marta deri të mërkurën, njoftoi Ministria e Jashtme kineze në një deklaratë të enjten.
“Nuk ka ndonjë shkop magjik për të zgjidhur krizën,” tha i dërguari kinez.
Ai u bëri thirrje të gjitha palëve të bëjnë përpjekjet e duhura për të shtuar besimin e ndërsjellë dhe për të krijuar kushte për të ndaluar armiqësitë e për të nisur bisedimet e paqes.
I dërguari kinez është në një udhëtim në pesë vende evropiane – Ukrainë, Poloni, Francë, Gjermani dhe Rusi – për të angazhuar palët e ndryshme lidhur me zgjidhjen politike të krizës së Ukrainës. Udhëtimi i tij zhvillohet rreth dy javë pas një bisede telefonike ndërmjet presidentit kinez Xi Jinping dhe homologut të tij Zelenskyy, në të cilën udhëheqësi kinez ritheksoi angazhimin e Pekinit për të qëndruar në anën e paqes lidhur me krizën e Ukrainës.