Identifikohen dy studentët tanzanianë që u morën peng nga Hamasi

Dy studentë tanzanianë të marrë peng nga Hamasi në Gaza janë identifikuar nga qeveria izraelite.

Joshua Loitu Mollel dhe Clemence Felix Mtenga ishin në Izrael si pjesë e një programi praktike bujqësore”-shkruan  ministria e jashtme e Izraelit në X.

Ata u rrëmbyen nga terroristët e Hamasit dhe po mbahen peng në Gaza. Babai i Mollel tha për  BBC-së se ka shpresë që djali i tij i madh të kthehet gjallë.

Ai tha se ambasadori i Tanzanisë në Izrael e kishte siguruar atë se dy qeveritë po punonin së bashku për të siguruar lirimin e tyre. Megjithatë, autoritetet e Tanzanisë nuk kanë komentuar publikisht për rrëmbimin e qytetarëve të tyre.

Përpara se të konfirmohej se djali i tij, 21 vjeç, ishte marrë peng, Mollel i tha BBC-së se nuk mund të hante apo të flinte sepse ishte i dëshpëruar të dinte se çfarë i kishte ndodhur.

Hera e fundit që zoti Mollel foli me djalin e tij ishte të enjten më 5 tetor  dy ditë para se personat e armatosur të Hamasit të sulmonin Kibbutz Nahal Oz, ku ai po studionte.

Nga na tjetër familja e zotit Mtenga ende nuk ka folur publikisht.

Kujtojmë që më 7 tetor 1,400 njerëz u masakruan nga Hamasi të cilin Britania e Madhe, SHBA dhe fuqitë e tjera perëndimore e klasifikojnë si organizatë terroriste në Izrael.

Më shumë se 230 pengje u morën në kufirin me Rripin e Gazës, i cili është nën kontrollin e Hamasit.

Izraeli thotë se ata vijnë nga 25 vende, duke përfshirë një afrikano-jugor që ende nuk është identifikuar

Hamasi thotë se i ka fshehur pengjet në “vende dhe tunele të sigurta” brenda Gazës.

Katër nga pengjet janë liruar që atëherë, duke përfshirë Yocheved Lifschitz, një gjyshe 85-vjeçare që u rrëmbye së bashku me bashkëshortin e saj Oded nga një kibutz tjetër.

Që nga sulmi, Izraeli është kundërpërgjigjur me sulme ajrore që kanë vrarë më shumë se 8,000 njerëz, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës, e cila drejtohet nga Hamasi.