Takimi ministror i sotëm shënon fillimin e Iniciativës 8, e cila përveç lidhjes së transportit dhe energjisë përgjatë Korridorit 8, do të shërbejë edhe si platformë politike që do të sigurojë avancimin e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe intensifikimin e shkëmbimit politik, ekonomik dhe të sigurisë, shkëmbimin kulturor si dhe atë social ndërmjet Maqedonisë së Veriut, Italisë, Bullgarisë dhe Shqipërisë.
“Bashkëpunimi i ngushtë me dy shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, Italinë dhe Bullgarinë, ka rëndësi të madhe për ne dhe për Shqipërinë si vende kandidate sepse do të ketë implikime pozitive. Kjo iniciativë është edhe në drejtim të asaj që ne si shtet angazhohemi, për më shumë integrim para anëtarësimit, respektivisht për përfshirjen e vendeve kandidate në politikat dhe iniciativat përkatëse të BE-së, që do t’u mundësojë qytetarëve t’i shfrytëzojnë përfitimet nga anëtarësimi gjatë gjithë procesit, dhe jo vetëm pas përfundimit të tij”, tha Osmani në konferencën e përbashkët për media me ministrat e punëve të jashtme të vendeve që janë pjesë e Iniciativës 8.
“Maqedonia e Veriut mund të luajë rol kyç në përmirësimin e lidhjes fizike në rajonin që lidh perëndimin dhe lindjen. Puna e përbashkët e qeverive tona mund të mundësojë që shumë shpejt të kemi korridor transporti përmes të cilit do të jetë e mundur që për 10 orë të mbërrihet nga porti i Italisë në Detin Adriatik deri në portin e Bullgarisë në Detin e Zi. Tani kjo rrugë zgjat 25 orë.” – tha Osmani.
Krahas kësaj, Osmani në Brindizi i prezantoi projektet më të reja të infrastrukturës në Maqedoninë e Veriut përgjatë Korridorit 8 të Rrjetit të Transportit Trans-Evropian drejt Bullgarisë dhe Shqipërisë, si dhe zhvillimin paralel të infrastrukturës përgjatë Korridorit 10, projekte që mund të shërbejnë si katalizator për bashkëpunimin rajonal dhe përpjekjet për integrim.
Ministrat e Punëve të Jashtme u dakorduan se do të mbajnë takime të rregullta dhe njëkohësisht do të punojnë në forcimin e bashkëpunimit, jo vetëm mes qeverive, por edhe mes qyteteve nëpër të cilat kalon Korridori 8. Nisma do të përfshijë biznesin dhe shoqërinë civile si një nga faktorët kryesorë për zbatimin e bashkëpunimit të suksesshëm.