Më tepër integrim të Maqedonisë së Veriut, para anëtarësimit në BE. Iniciativë që para disa muajve filloi ta promovojë ministri i punëve të jashtme Bujar Osmani, sot mori përkrahje nga ish presidenti dhe kryeministri, Branko Cërvenkovski.
Osmani këtë iniciativë tani disa muaj me radhë e prezanton edhe brenda vendit por edhe gjatë vizitave të tij jashtë vendit. Iniciativa për të cilën angazhohet ministri Osmani është: “Maqedonia e Veriut përpara drejt Evropës me më shumë integrim gjatë rrugëtimit deri në anëtarësimin fuqiplotë në BE”.
Shefi i diplomacisë, duke folur për sfidat e vendit tonë që e presin në rrugën drejt BE-së deri në vitin 2030, në disa raste ka theksuar se është e nevojshme që Maqedonisë së Veriut t’i jepet rasti t’i iafrohet BE-së përmes masave konkrete afatshkurtra, gjatë kohëzgjatjes së procesit të afrimit. Sipas Osmanit, kjo do të rrisë edhe besimin e qytetarëve se vendi do të do të bëhet anëtare fuqiplotë e BE-së.
Osmani vlerëson se rrjedha e suksesshme e procesit të skriningut të legjislativës evropiane, e riafirmon përkushtimin e vendit tonë drejt forcimit të funksionimit të institucioneve demokratike dhe qeverisjes së të drejtës, si çështje me rëndësi kyçe për rrjedhën e mëtutjeshme të negociatave, e kjo, sipas Osmanit, i jep më tepër kredibilitet procesit, duke nënkuptuar më tepër integrim para anëtarësimit.
Që Maqedonisë së Veriut dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor u nevojitet integrim para anëtarësimit në BE, sot e theksoi edhe Cërvenkovski. Në këtë ngjarje, në prezencë të Këshillit të Ambsadorëve, Cërvenkovski edhe pse e paralajmëroi si iniciativë të tij, në fakt dha përkrahje për atë që tashmë angazhohet ministri Osmani.
Edhe Cërvenkovski pajtohet se vendet e rajonit me integrim më të madh, do t’i përmirësonin performansat e veta ekonomike, e me këtë do të jenë më të pëprgatitura për anëtarësim fuqiplotë. Nga ana tjetër, BE do ta forconte kredibilitetin e saj, si dhe ndikimin në rajon dhe do t’i eliminonte të gjitha rreziqet për ndikime joevropiane dhe antievropiane.