Intervista/ Bajram Rexhepi: Nuk ka “Plan B”, ndryshimet kushtetuese patjetër të ndodhin

Ashtu si afrohet afrohet fundi i nëntorit, shpresat për zbatimin e Propozimit Francez, po zbehen. Obligimi i marrë me këtë dokument janë ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve etnik në preambulë, gjë duket e paarritshme pa votat e opozitës. Por, nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Bajram Rexhepi, është optimist se më në fund do të mbizotërojë arsyeja dhe opozita do të votojë ndryshimet. Thotë se Plan B nuk ka. Në një intervistë ekskluzive për KDP Rexhepi flet për datën e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale, kandidatin e mundshëm për president të BDI-së, për koalicionet para dhe pastgjedhore dhe për rreziqet nëse vendi nuk arrin të vazhdojë rrugën në procesin e integrimit në BE.

Tani më jemi në nëntor – afati i fundit i miratimit të ndryshimeve kushtetuese konform Propozimit Francez. Jeni optimist se do të votohen?

Nëntori si afat është definuar dhe përfolur për shkak se mbaron procesi i skriningut. Do të ishte shumë mirë që mos të humbet kohë dhe menjëherë pas mbylljes së skriningut të mbahet konferenca e dytë me Komisionin Evropian në mënyrë që të fillojë hapja e kapitujve. Kjo agjendë këtë dinamikë ka. Por, unë  nuk besoj se do jetë problem edhe nëse ndryshimet kushtetuese votohen në dhjetor, mbase edhe në muajt e parë të vitit të ardhshëm, dhe konferenca e dytë me BE-në të caktohet brenda kuartalit të parë të vitit të ardhshëm. Nëse kjo nuk ndodh në këtë periudhe dhe prolongohet për më vonë, kjo do e komplikojë shumë situatën sepse në pranverë ka zgjedhje në nivele të ndryshme brenda BE- së, kemi turbulenca të jashtëzakonshme gjeopolitike, kemi konflikte të hapura që nuk e dimë se çfarë epilogu mund të kenë…Fatkeqësisht këto agjenda politike dhe gjeopolitike mund të ndryshojnë shumë shpejtë në disfavor të interesave të Maqedonisë dhe rajonit.

A ka Plan B nëse nuk kalojnë? Çka do të ndodhë?

Plan B nuk ka. Kjo patjetër të ndodh. Çështja është nëse do të votohen sipas dinamikës së planifikuar apo do të vonohen. Vonesat do të shkaktojnë shumë pakënaqësi, pasiguri, emigrim, paparashikueshmëri, dëshpërim, energji negative në shoqëri, do të rritet retorika nacionaliste, ksenofobia, dhe më e keqja do të krijohet një boshllëk për ndikime të faktorëve nga Lindja, që nuk ja duan të mirën këtij vendi dhe rajoni. Duhet ta kemi të qartë se derisa Perëndimi po investon shumë për stabilitetin dhe integrimin e rajonit tonë, në të njëjtën kohë shtete të bllokut lindor gjithashtu po investojnë shumë për të kundërtën. Kjo është një betejë në plot kuptimin e fjalës. Përcaktimi i shumicës absolute të popullatës është qartësisht drejtë Perëndimit dhe të gjithë ato që punojnë kundër këtij përcaktimi janë të destinuar të dështojnë.

Si do të pozicionohet BDI nëse nuk votohen këto ndryshime, që do të thotë Bullgarët etnik nuk përfshihen në Kushtetutë, dhe për rrjedhojë rikthehet vetoja bullgare për integrim në BE?

Ndryshimi i kushtetutës dhe përfshirja e etnisë Bullgare dhe disa etnive tjera në Kushtetutë është një çështje krejtësisht teknike dhe pasqyrim i realitetit demografik. Nuk kemi dëgjuar as edhe një argument të vetëm me relevancë se kjo do të ndryshojë konceptualisht rendin kushtetues të vendit. Kundërshtimi që të votohen këto ndryshime bëhet vetëm për kalkulime partiake dhe elektorale. Më e keqja është se në vazhdimësi po shpërndahen dezinformata dhe propagandë e qëllimshme në opinion për të shtrembëruar të vërtetën dhe pastaj në mënyrë perfide shkaku të ngatërrohet me pasojën, se kinse këtë nuk e dëshiron popullata. Përcaktimi por edhe angazhimi i BDI-së është shumë i qartë, konkret dhe transparent, që këto ndryshime të ndodhin një ditë e më parë, sepse ky është shërbimi më i madh që ne mund të bëjmë për qytetarët e këtij vendi. Nëse kjo nuk do të ndodh para zgjedhjeve, ne do shpalosim para qytetarëve faktet se çfarë dëmi po na bëjnë këto politika. Por, unë jam optimist se megjithatë do të mbisundojë arsyeja dhe ndryshimet kushtetuese do të votohen.

 Partitë opozitare kanë deklaruar se mund të kushtëzojnë votimin e ndryshimeve kushtetuese me zëvendësimin e “20 përqindëshit” në Kushtetutë. Cili është qëndrimi i BDI-së për këtë?

Qëndrimi jonë është shumë i qartë. Ky është një definicion ofendues dhe duhet të përmirësohet menjëherë. Mirëpo, për të bërë këtë nevojitet një konsensus sepse duhen 80 vota në Parlament. Nëse partitë opozitare shqiptare vërtetë duan të heqin 20-përqindëshin, atëherë mund të japin një kontribut të rëndësishëm: në nivel lokal janë në koalicion dhe partneritet me VMRO-DMPNE-në, pra le të bindin ato partnerin e tyre dhe ne jemi ta gatshëm që nesër ta nisim procedurën e ndryshimit. E them këtë sepse pa VMRO-në nuk arrihen 80 vota në parlament. Por, qëndrimi jonë është se kjo nuk duhet në asnjë mënyrë të jetë shkak, alibi apo pengesë për ndryshimin kushtetues nga i cili varet integrimi i vendit në BE, dhe kjo do të ishte e kobshme dhe vrasëse. Kjo ka një shpjegim të thjeshtë. Definimi i përdorimit të gjuhës shqipe që lidhet me 20 përqindëshin të popullatës është bërë në vitin 2001 në kushte lufte dhe kompromisi dhe ai sot duhet të ndryshojë. Por, ndryshimi i atij definimi në praktikë nuk avancon përdorimin dhe zbatimin e gjuhës shqipe, ndërsa ndryshimi që heq pengesën e fundit të integrimit në BE ka efektin më të madh të mundshëm në përmirësimin e standardit jetësorë dhe jetës së qytetarëve. Ky është një dallim substancial.

Vitin e ardhshëm do të kemi zgjedhje të dyfishta – presidenciale dhe parlamentare. Opozita tash më ka filluar të ofrojë data dhe mënyra të organizimit të tyre. Kur mendoni se duhet të mbahen dhe a duhet të organizohen në një ditë?

Për ne kjo ka shumë pak rëndësi. Megjithatë duhet të ketë një konsensus të të gjitha partive politike. Ne do të dëgjojmë edhe argumentet për dhe kundër që zgjedhjet të jenë në një ditë apo ndaras dhe sigurisht organet partiake do të vendosin për këtë.

Do të keni kandidat për president apo do të garoni me një kandidat të përbashkët me LSDM-në dhe partnerët qeveritarë, si në vitin 2018?

Në zgjedhjet e fundit presidenciale kemi pasur një kandidat të përbashkët dhe konsensual, i cili doli fitues. Duhet të jemi racional – në rrethanat aktuale kandidat shqiptar nuk fiton. Sigurisht se edhe kësaj radhe vendimi do të jetë i bazuar nëse do të ketë pajtueshmëri me pëcaktimet tona strategjike dhe programore. Por gjithsesi edhe për këtë do të vendosin organet partiake.

Po për zgjedhjet parlamentare – do ta krijoni Frontin Evropian, siç e paralajmëroi lideri i BDI-së, Ali Ahmeti?

Përcaktimi thelbësor i programit tonë partiak është përshpejtimi i procesit të eurointegrimeve, sepse përshpejtimi i këtij procesi do të ndikojë në mënyrë thelbësore në çdo sferë të jetës dhe të organizimit tonë shtetëror dhe social. Ky proces kërkon reforma të thella dhe këto reforma kërkojnë një konsensus sa më të gjerë nacional, edhe në kuptimin e formal të numrave në Parlament por edhe në kuptimin e përfshirjes në këtë proces. Shumica e faktorëve politik me relevancë janë në vijë të njëjtë më këto përcaktime, prandaj unë mendoj se ky front gjithsesi se do krijohet dhe do të ketë përkrahje të madhe.

Kush mund të jetë pjesë e atij fronti – vetëm partitë shqiptare me të cilat jeni në koalicion, apo edhe LSDM?

Ne jemi duke bërë analiza të vazhdueshme lidhur me formatin e këtij fronti dhe si do të pritej tek votuesit. Këto analiza do të duhet të japin edhe përgjigjen e kësaj pyetje. Në Maqedoni, për fat të keq, ka ende shumë mbetje me ideologji nacionaliste që shtetin e shohin si pronë etnike, në kundërshtim të plotë me ideologjinë tonë, që shtetin e shohim si një servis të qytetarëve. Fatkeqësisht ka shumë faktorë nga brenda dhe jashtë që duan ta thellojnë këtë hendek dhe kjo mund të ketë një ndikim elektoral, sidomos te votuesit e etnisë maqedonase. Por, gjithsesi se ky vendim duhet të merret varësisht se si do te jenë përfundimet e hulumtimeve të opinionit publik me qëllim që kjo të valorizohet me një fitore bindëse.

Lideri i ASH-së, Arben Taravari, në disa raste ka drejtuar akuza të rënda drejt BDI-së. Në një intervistë e quajti edhe “kancer të shoqërisë”. A nuk është kjo një lëvizje drejt garimit kundër BDI-së në zgjedhje, në vend të formimit të një koalicioni parazgjedhor?

Unë nuk dua të komentoj këto deklarata. Me Aleancën për Shqiptarët sigurisht se kemi dallime dhe kjo është shumë normale, prandaj edhe ekzistojmë si parti të ndryshme. Por, është  esenciale  të theksohet se me këtë subjekt politik kemi pajtueshmëri të plotë mbi përcaktimet themelore dhe orientimin tonë politik. Unë së paku nuk shoh asnjë dallim të kësaj natyre dhe se kemi probleme të pakalueshme sepse kemi qenë dëshmitarë se ky subjekt edhe kur ishte në opozitë ka përkrahur shumë vendime të lidhura integrimet dhe ne jemi shumë falënderues dhe mirënjohës për këtë. Nëse ne do kemi një koalicion parazgjedhor, paszgjedhor, apo jo, kjo sigurisht se do të varet nga vendimet e organeve partiake të dy partive dhe  të interesave reciproke. Ne jemi subjekti më i madh politik shqiptar në Maqedoni, por ky fakt asnjëherë nuk ka krijuar arrogancë dhe cinizëm në qasjen tonë në raport me subjektet tjera politike. Unë personalisht mendoj se Fronti Evropian duhet të jetë sa më i gjerë dhe gjithëpërfshirës edhe në kuptimin e faktorëve politik, por sidomos në thelbin e idesë, sepse fragmentarizmi i votës shqiptare në mënyrë të ndjeshme e ul si peshën politike ashtu edhe peshën në vendimmarrje.