Ish kryeministri po lufton me jetën në spital, Rama: Lutem për Fatos Nanon

Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se ish-kryeministri Fatos Nano po lufton me jetën në spital.

Krahas mesazhit, Rama zbulon se i ka akodruar ish-kryeministrit Fatos Nano, “Kordonin e Madh me Yll të Mirënjohjes Publike” për kontributin e shquar në ndërtimin e shtetit kushtetues dhe demokratik në Shqipëri.

Më tej, në postimin e tij Rama shkruan se Nano meriton lutjet dhe mirënjohjen për gjithçka të mirë që i dha vendit dhe shoqërisë në rolet e rënda që pati gjatë karrierës së tij.

“LUTEM PËR FATOS NANON

Në këto orë të vështira të luftës për jetën, lideri historik i Partisë Socialiste dhe njeriu që vuajtjen e padrejtë të heqjes së lirisë e ktheu në burimin e një fryme liberale në udhëheqje, në një kohë kur Shqipëria përballej me shëmtinë e egër të një konflikti politik të nxitur nga shpirti i hakmarrjes, padijes, errësirës dhe me egërsinë e pakufishme të një kapërcimi të madh historik, nga izolimi i tejskajshëm komunist drejt demokracisë si sprovë e tejmundimshme, në një tokë të djegur prej zjarrit e hekurit të perandorive e regjimeve që pasuan njëri-tjetrin qysh prej pavarësimit të Shqipërisë, ku nuk u rrit dot kurrë shtati institucional i shtetit e ku liria e ardhur me furinë e zemëratës popullore solli bashkë me dritën e së ardhmes edhe plagët e tmerrshme të shkatërrimit të shumëçkaje në emër të luftës për demokraci, meriton sot lutjet tona dhe mirënjohjen tonë për gjithçka të mirë mundi t‘i japë vendit dhe shoqërisë në rolet e rënda që pati gjatë karrierës së tij me të përpjeta e të tatëpjeta të mundimshme”, shkruan Rama./ CNA