Itali/ Moti i keq godet disa rajone, një i vdekur

Moti i keq po mundon disa rajone të Italisë, por më e goditura prej tyre është Emiglia Romagna, ku autoritetet kanë dhënë alarmin e kuq.

Prej 48 orësh atje, sipas tyre, ka rënë më shumë shi sesa në katër muaj të marrë së bashku nga janari në prill. Lumenj që dalin nga shtrati, rrugë të përmbytura, shkolla të mbyllura: kështu paraqitet aktualisht situata në zonë sipas mediave vendase.

Probleme ka pasur dhe me qarkullimin në disa linja hekurudhore, përfshirë atë Bolonja-Rimini. Më shumë se 250 persona janë evakuar në Ravennate, 100 të tjerë në territorin e Faenzas për shkak të vërshimit të ujrave e dhjetëra në Biancanigo di Castel Bolognese. Prefektura atje, së bashku me qendrat operative komunale po monitoron situatën. Në terren, përpos ekipeve të zjarrfikësve dhe vullnetarëve te mbrojtjes civile, është dërguar dhe ushtria.

Disa familje u evakuan që mbrëmjen e djeshme, ndërsa situata edhe këtë mëngjes paraqitej e rënduar. Një 80 vjecar humbi jetën në orët e para të ditës, i rrëmbyer nga uji në Castel Bolognese. Po ketu u regjistrua shembja e një shtëpie për shkak të rrëshqitjes së tokës.

Një person atje konsiderohet i zhdukur. Moti i keq nuk ka kursyer as VIP-at: në një lidhje direkte Gianni Morandi rrëfeu se i është përmbytur shtëpia, e për këtë arsye, sic shpjegoi ai, nuk kishte mundur të shkonte si i ftuar në programin “VivaRai2”.