Ka hyrë në fuqi vendimi i BE-së për ndihmën makrofinanciare për Maqedoninë e Veriut (Dokument)

Vendimi i BE-së për të ofruar ndihmë makrofinanciare për Maqedoninë në vlerë deri në 100 milionë euro për të përballuar pasojat e shkaktuara nga agresioni rus kundër Ukrainës, ka hyrë në fuqi, pasi sot është publikuar zyrtarisht në Fletoren Zyrtare të Bashkimi Evropian (BE), informon Indeks.mk.

Vendimi, të cilin Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme (GAC) të Unionit e miratoi unanimisht të hënën e kaluar, u nënshkrua nga Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, dhe nga Sekretari Spanjoll i Shtetit për Bashkimin Evropian, Pascual Navarro Rios, në emër të Presidentit të Këshillit të BE-së, Charles Michel.

Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të BE-së (GAC) miratoi vendimin në takimin e tij në Bruksel të hënën e kaluar me 27 vota pro dhe asnjë kundër ose abstenim. Vendimi, i cili u miratua nga Komisioni Evropian më 6 shkurt të këtij viti, më parë u miratua nga Parlamenti Evropian më 13 qershor, dhe më 5 korrik nga Komiteti i përfaqësuesve të përhershëm të Qeverive të shteteve anëtare në Bashkimin Evropian. KOREPER).

Në vendim thuhet se ekonomia e vendit, e cila filloi negociatat e anëtarësimit me Bashkimin evropian në 19 korrik 2022, është prekur ndjeshëm nga recesioni i vitit 2020 si pasojë e pandemisë së Kovid-19, si dhe nga kriza energjetike e shkaktuar nga agresioni rus kundër Ukrainës.

“Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka treguar një përkushtim të fortë për zbatimin e reformave të mëtejshme, duke u fokusuar në fushat kyçe të politikave të identifikuara në Konkluzionet e Përbashkëta të Dialogut Ekonomik dhe Financiar ndërmjet BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë të datës 24 maj 2022, përfshirë reformat në gjyqësor, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, qeverisja e mirë dhe shteti i së drejtës”, thuhet në dokument.(Indeks.mk)