Kiliçdaroglu: Emigrantët do t’i dërgoj në shtëpi

Lideri i opozitës turke, Kemal Kilicdaroglu, është zotuar se do t’i kthejë nëpër vendet e tyre miliona migrantë, në rast se fiton në balotazhin e 28 majit. Ai është në garë me presidentin aktual, Recep Tayyip Erdogan. Këto janë deklaratat e para të tij, prej mbajtjes së zgjedhjeve më 14 maj, kur janë mbajtur zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale. Në rundin e parë, asnjëri kandidat nuk ka arritur të fitojë mbi 50 për qind të votave për pozitën e presidentit. Megjithatë, performanca e Kilicdaroglut ka qenë më e mira e një kandidati opozitar, përgjatë dy dekadave të fundit. Ai, po ashtu, pritet të takohet edhe me Sinan Oganin – figurë e të djathtës ekstreme, i cili i ka fituar 5.2 për qind të votave, në garën për president. Ogan ka thënë se ai do të mbështesë vetëm kandidatin që merret me çështjen e migrantëve dhe e lufton “terrorizmin” – referencë në Turqi për militantët kurdë.