Koalicioni joparimor në ndihmë të Bilall Kasamit, që të mos mbetet me një deputet kundrejt Taravarit me pesë?!

Publiku mund të bie në lajthitje nga vendimi i KSHZ-së për t’u përsëritur zgjedhjet në disa vendvotime në njësitë zgjedhore 5 dhe 6. Ja, u zunë këta të Frontit Europian në makinacione zgjedhore, por makinacione bëjnë ata që duan t’ia marrin dy deputetë të fituar në procedurë të rregull!

Ajo që ndodhi të hënën është krejtësisht diçka tepër banale dhe ironikisht, hapi i parë i shkeljes së shtetit ligjor nga një koalicion që përpiqet të krijohet me legjitimitet të dyshimtë zgjedhor midis VMRO-së dhe VLEN-it, të bashkëngjitur kësaj radhe në punën e KSHZ-së edhe nga LSDM-ja.

Nuk e themi kot, sepse në vendvotimet e apostrofuara nuk ka ndonjë shkas për përsëritje të votimit, sepse nëse fillohet me të njëjtin kut, do të duhej në të gjitha njësitë të shikohen shenjat e gishtave për të parë rregullshmërinë.

Prandaj, me të drejtë mund të thuhet se koalicioni joparimor brenda Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve është vënë në funksion të një fiksimi të Bilall Kasamit, i cili, me gjithë “namin” që ka si kryetar i komunës së Tetovës, brenda koalicionit VLEN, pasi të tërhiqej vetë nga lista, do të mbetej vetëm me një deputet, kundrejt grupit të Taravarit(pa parti madje!) me 5, bile dhe më pak se Alternativa(2) LEN-i(3) që ndoshta s’i ze të denjë për krahasim!

Ky është problem serioz që ka dalë në pah tash pas zgjedhjeve, por është problem i matematikave parazgjedhore që i ka bërë Kasami, që nuk i kanë dalë. Dhe për këtë nuk i ka faj askush.

Ironike është që VMRO-ja ende pa u krijuar koalicioni i pretenduar me VLEN-in, vihet në funksion për t’ia kompensuar Kasamit pozitën inferiore brenda këtij koalicioni që edhe ashtu filloi si një grup interesi.

Do të ishte një fatkeqësi elementare që në instancat më të larta gjyqësore verifikohet vendimi joparimor i KSHZ-së. /Indeks.mk