Korridoret 8 dhe 10 D/ Saraçini: E gabueshme që këto projekte të sulmohen me prapavijë etnike!

“Ndërtimi i korridoreve 8 dhe 10 D do të sjellë dobi ekonomike për të gjithë qytetarët e vendit, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike e fetare”. Kështu thotë në një prononcim për Indeks.mk, Petrit Saraçini nga Instituti për Media dhe Analitikë (IMA), duke komentuar tendencë e opozitares VMRO-DPMNE dhe radikales Levica që këtyre projekteve infrastrukturore tu jepet konotacion etnik.

“Për fat të keq, disa parti politike në Maqedoninë e Veriut në komunikimin publik po i japin konotacion etnik projekteve te ndërtimit te korridoreve 8 dhe 10D, me çka kontribuojnë në përkeqësimin e marrëdhënieve ndëretnike në vend. Është legjitime që opinioni dhe partitë politike të kërkojnë transparencë më të madhe dhe respektim të ligjeve sa i përket realizimit të këtyre projekteve”, deklaroi Saraçini për Indeks.mk

Sipas tij, është tërësisht e gabueshme që këto projekte të sulmohen me prapavijë etnike, sepse ndërtimi i këtyre korridoreve do të sjellë dobi ekonomike për të gjithë qytetarët e vendit, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre.

Ndryshe, opozitarja VMRO-DPMNE dhe ultra-radikalja Levica tanimë e një kohë në opinion mundohet që këtyre dy projekteve kapitale për vendin dhe qytetarët tu japin konotacion etnik. Përveç kësaj ata me amendamente në Parlament mundohen që të bllokojnë edhe miratimin e pesë ligjeve të cilat përshpejtojnë procesin e punës së ndërtimit të këtyre korridoreve.

Opozitarja VMRO DPMNE në bashkëpunim me Levicën po bllokon aktivisht mbi 500 milionë euro të destinuara për projekte në interes të qytetarëve nga institucionet financiare evropiane.

Implikimet financiare të bllokimit të ligjit të TVSH-së janë 40 milionë euro, për ligjin e tatimit mbi fitimin janë 20 milionë euro, për tatimin e solidaritetit 80 milionë euro, si dhe bllokimi i ligjeve financiare për huamarrjet, 100 milionë euro nga Banka Europiane e Investimeve për kredi për ekonominë me kushte të favorshme dhe 100 milionë të tjera nga BERZH për ESM, mbi 150 milionë euro për korridoret 8 dhe 10 – D, si dhe gjithsej 260 milionë euro nga BE dhe FMN që varen nga ligjet tatimore, si dhe qindra milionë euro për hekurudhat në Korridorin 8.

Gjithashtu, VMRO DPMNE në bashkëpunim me Levicën po bllokon ligjet për ndërtimin e shpejtë dhe të lirë të korridoreve 8 dhe 10 – D, ndërsa kjo bllokadë e pakuptueshme po i kushton qytetarëve dhe buxhetit të shtetit mbi 150 milionë euro ndërtime më të shtrenjta dhe mbi dy vjet ndërtim më të gjatë të autostradave.

Në anën tjetër, partitë në pushtet të udhëhequra nga dy më të mëdha LSDM-në dhe BDI-në janë deklaruar se nuk do të lejojë që VMRO-ja dhe Levica t’i vënë barë shtetit dhe qytetarëve për këto dy projekte edhe për më shumë se 150 milionë euro.

“Pengmarrja e Kuvendit nga VMRO DPMNE ka marrë fund. Sjellja destruktive e papërgjegjshme me paratë e qytetarëve nga VMRO DPMNE nuk do të tolerohet”, thuhet në reagimet e LSDM-së dhe BDI-së. (Indeks.mk)