Kumanovë, rihapet tregu i kafshëve

Pas disa muajsh, tregu i kafshëve në Kumanovë sërish është hapur për punë. Tregu nuk punoi një kohë të gjatë, për shkak të murtajës afrikane tek derrat. Drejtori i NP “Tregu i Gjelbër”, Gëzim Kadriu, ka njoftuar se kanë marrë vendimin  për punë nga Agjencioni për ushqim dhe veterinari. Në bazë të masave të reja në tregun e kafshëve mund të shiten të gjitha kafshët, përpos derrave.
“Në shikim të parë për mua ndoshta ka qenë tendencioze mbyllja e tregut të kafshëve, e arsyetoj me faktin se në RMV epidemiologji të derrave ka pasur gjithandej, kurse i vetmi treg që është mbyllur ka qenë tregu i kafshëve në Kumanovë. Arsyetimi nga ana e institucionit përkatës ishte se epidemiologjia mundet të jetë bartëse edhe tek njerëzit, gjegjësisht fermerët, të cilët kanë qenë të infektuar me atë grip apo virus kanë mundur t’i infektojnë edhe tregtarët e tjerë. Unë mendoj se ata në fakt janë shumë më të rrezikshëm nëse shëtisin lirshëm nëpër qytet, nëpër markete e lokale të ndryshme ku ka shumë ma shumë frekuentim të popullatës se sa tek tregu i kafshëve.”, – deklaroi drejtori i NP “Tregu i gjelbër”-Kumanovë, Gëzim Kadriu.
Nga Agjencioni për ushqim dhe veterinari njoftojnë se varësisht nga gjendja epidemiologjike, do t’i tërheqin apo t’i vazhdojnë masat për shitjen e të gjitha llojeve të kafshëve në tregun e Kumanovës. Fatmirësisht deri më tani nuk ka njoftime për raste të reja të infektimit të kafshëve. Ndryshe, nga fillimi i paraqitjes së kësaj sëmundjeje në muajin janar e deri më sot janë marrë dhe zhdukur gjithsej 4.216 derra nga 460 ferma në tërë territorin e vendit. Për këtë arsye, në Agjencionin për ushqim dhe veterinari kanë arritur 493 kërkesa për pagesën e kompensimit të dëmit, që arrin vlerën e rreth 44 milion denarëve.