Kur egjiptianët e lashtë filluan të përdornin hieroglifet

Shkrimet më të hershme të njohura hieroglifike egjiptiane u shfaqën plotësisht të formuara, ose për shkak se ato u zhvilluan në materiale tani të humbura ose sepse ato u “shpikën nga një gjeni i panjohur”.

Për mijëra vjet, egjiptianët e lashtë shkruanin hieroglife mbi varre, papirus dhe, në disa raste, piramida.

Por, shtohet pyetja se kur u shpikën hieroglifet?

Hulumtimet tregojnë se ato u shfaqën rreth 5200 vjet më parë, pothuajse në të njëjtën kohë kur një sistem tjetër shkrimi, i quajtur kuneiform, u shpik në Mesopotami.

“Gërmimet gjermane në Abydos në Egjipt kanë zbuluar mbishkrime hieroglifike afërsisht 3200 para Krishtit”, tha për Live Science, James Allen, profesor emeritus i Egjiptologjisë në Universitetin Brown.

Në mënyrë të ngjashme, Ludwig Morenz, profesor i Egjiptologjisë në Universitetin e Bonit në Gjermani, tha për Live Science se hieroglifët egjiptianë u krijuan “rreth 3300/3200 pes”.

Allen tha se sistemi hieroglifik fillimisht duket se është plotësisht i formuar, ose sepse fillimet e tij ishin gdhendur në materiale që nuk mbijetuan, ose sepse u shpik nga një gjeni i panjohur.

Pse u shpikën hieroglifet është një burim debati, shkroi Marc Van De Mieroop, profesor i historisë në Universitetin e Kolumbisë, në botimin e dytë të librit, “Historia e Egjiptit të Lashtë” (John Wiley & Sons Ltd., 2021).

Në kohën kur u shpikën hieroglifet, Egjipti po unifikohej në një shtet dhe administrata mund të ketë qenë arsyeja e shpikjes së tyre.

“Është logjike që një shtet i përmasave dhe kompleksitetit të Egjiptit kërkonte një sistem kontabiliteti fleksibël që mund të ruante informacione për natyrën e mallrave, sasinë, origjinën dhe destinacionin e tyre, personat përgjegjës për to dhe datën e transaksionit”, Van De Mieroop shkroi në librin e tij.

Një teori tjetër është se hieroglifet u shpikën për të ndihmuar në lavdërimin e perëndive dhe mbretit, shkroi Van De Mieroop, duke vënë në dukje se disa gdhendje të hershme që përshkruanin mbretër përmbajnë hieroglife.

“Glorifikimi i mbretit mund të ketë qenë një nga forcat shtytëse pas shpikjes së shkrimit”, shkroi ai.

Egjiptianët krijuan hieroglife në të njëjtën kohë kur u shpik shkrimi kuneiform në Mesopotami. Se cili sistem u shpik i pari është një çështje debati mes studiuesve.

Allen pretendon se hieroglifët egjiptianë u shpikën së pari, duke thënë se shkrimet më të hershme kuneiforme datojnë rreth 2900 pes. Megjithatë, shumë shkencëtarë nuk pajtohen.

Për shembull, Orly Goldwasser, profesor i egjiptologjisë në Universitetin Hebraik të Jerusalemit shkroi se shkrimi kuneiform ndoshta u zhvillua fillimisht.

“Në bazë të provave në dispozicion, duket se shkrimi ka lindur në Mesopotami”, shkroi Goldwasser në një kapitull të “Toka e Faraonit dhe përtej: Egjipti i lashtë dhe fqinjët e tij” (Oxford University Press, 2017).

Në të dyja rastet, kuneiforma dhe hieroglifet janë krejt të ndryshme, dhe të dy sistemet duket se janë zhvilluar në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri.

“Kuneiformat dhe hieroglifët janë shumë të ndryshëm që njëri të ndikojë drejtpërdrejt te tjetri. Karakteret kuneiform përfaqësojnë fjalë ose rrokje të tëra, ndërsa hieroglifët përfaqësojnë fjalë ose bashkëtingëllore individuale dhe nuk përfaqësojnë zanore”, vuri në dukje Allen.

Edhe pse kishte disa kontakte midis popujve të Egjiptit dhe Mesopotamisë, hieroglifet u zhvilluan brenda Luginës së Nilit, tha Morenz. Goldwasser shkroi se megjithëse të dy sistemet janë mjaft të ndryshme, është e mundur që shpikja e shkrimit kuneiform në Mesopotami ndihmoi në frymëzimin e egjiptianëve për të shpikur hieroglifë.

Mbishkrimi i fundit i njohur hieroglifik egjiptian daton në vitin 394 pas Krishtit, sipas Universitetit të Memphisit në Tenesi. Në atë kohë, sisteme të tjera shkrimi si kopti u përdorën në Egjipt. Njohuritë për leximin dhe shkrimin e hieroglifeve humbën dhe vetëm në shekullin e 19-të, duke deshifruar hieroglifet, filluan të lexojnë përsëri.