Kryeministri Albin Kurti ka pritur në takim deputeten britanike dhe Kryetaren e Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar, Alicia Kearns. Kurti e falënderoi Kearns për vizitën dhe u shpreh mirënjohës për mbështetjen e saj të madhe për Kosovën.
Njoftimi i Zyres së Kryeministrit thekson se siguria e shtetit dhe e qytetarëve është prioriteti kryesor për Kosovën. Gjithashtu, u diskutua për zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Implementimit.
“Një kënaqësi e madhe të mirëpres sot Alicia Kearns, e cila përdor zërin e saj si deputete për të mbrojtur demokracinë. Theksova nevojën për rritjen e sigurisë pas sulmeve terroriste të sponsorizuara nga shteti serb, që përgjegjësit të ekstradohen dhe Serbia të mbajë përgjegjësi. Gjithashtu theksova se Kosova mbetet palë e angazhuar, konstruktive dhe e përkushtuar në dialog, duke përfshirë zbatimin e plotë dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes Themelore dhe Aneksit Zbatues të saj”, tha Kurti në platformën e tij në “X”.