Deri më tash ka shumë pak tokë të mbjellur e cila është vërshuar nga ujërat dhe kjo ndodh në ato vende ku nuk është bërë pastrimi i kanaleve për ujitje. Megjithatë nga njësia rajonale e Ministrisë së Bujqësisë në Tetovë thonë se shumica e këtyre kanaleve për ujitje janë pastruar
Reshjet e shiut dhe temperaturat e ulëta kanë ndikim negative tek kulturat bujqësore. Ndikim negativ kanë edhe tek mbjelljet vjeshtore, por edhe tek kulturat që duhet të mbillen në këtë periudhë. Këto temperatura jo të zakonshme për këtë periudhë u kanë hapur telashe shtesë bujqve. Lagështia ka shkaktuar vonesa në mbjelljen e kulturave kopshtare dhe kulturave tjera sepse është tejkaluar afati I përshtatshëm për mbjellje. Krahas kësaj, tek disa kultura tjera që janë mbjell, mund të vijë deri tek dëmtimi i farës siç janë misri, fasulja, patatja e kështu me radhë.
Problem shtesë është se tek kulturat që janë mbjell në vjeshtë siç është gruri, mund të vijë deri tek ulja e rendimentit për 20 për qind, për shkakun se gruri në këtë periudhë ka më pak nevojë për lagështi, thonë nga njësia rajonale e Ministrisë së Bujqësisë në Tetovë. Sipas tyre, kjo periudhë me lagështi të madhe dhe me ulje temperaturash, krahas ndikimit negativ poashtu tek disa kultura ka edhe ndikim pozitiv. “Bimët nga ana tjetër përmes procese të ndryshme mund të largojnë ujin e tepër por ka ndikim sepse mund të përhapen sëmundje të ndryshme. Lagështia tek kulturat në pemëtari poashtu ka ndikim negativ sepse nuk mund të bëhet spërkatja në kohë e tyre. Por, tek disa pemë lagështia ka ndikim pozitiv sepse ndikon në fazën e formimit të frytit”, thotë Afrim Serjani, udhëheqës i Njësisë Rajonale të Ministrisë së Bujqësisë në Tetovë.
Në ndërkohë, ende është shumë i vogël numri i bujqve që sigurojnë pronat e tyre të mjellura me kultura bujqësore nëpër kompani private të sigurimeve. Sipas informacioneve, bujqit hezitojnë të bëjnë sigurimin shkaku se në fillim duhet që të bëjnë pagesa të mëdha,kurse një vit më pas i marrin të hollat nga subvencionet ose nëse kanë dëme 60 për qind e mjeteve të investuara u kthehen. Por, kjo kërkon shumë procedura dhe bujqit nuk bëjnë sigurimin e të mbjellurave. Deri më tash ka shumë pak tokë të mbjellur e cila është vërshuar nga ujërat dhe kjo ndodh në ato vende ku nuk është bërë pastrimi i kanaleve për ujitje. Megjithatë nga njësia rajonale e Ministrisë së Bujqësisë në Tetovë thonë se shumica e këtyre kanaleve për ujitje janë pastruar. Sipas tyre, nëse ka vërshime të mëdha si në të kaluarën, dëmshpërblimin për dëmet në bujqësi e bën qeveria, kurse për dëmet më të vogla kjo shkon përmes procedurës ku bujqit fillimisht dëmet i paraqesin në komunë dhe më pas informohet Ministria e Bujqësisë. (koha.mk)