“Lum Lumi në botën e sëmurë”, vepër e re e autorit Sabri Dauti

Në 25 vjetorin e vdekjes së autorit Sabri Zirap vjen libri i shtatë I tij, “Lum Lumi në botën e sëmurë”.
Libri “Lum Lumi në botën e sëmurë” vjen pas disa përmbledhjeve tjera potike të autorit si “Në gjirin e përjetësisë” i cili u botua në vitin 2000, dy vjet pas vdekjes, “Vargje të vjeshtës së vonë” dhe “Fryma e fundit e vetmisë”, ku theksohet një lirizëm i pastër mbi të cilin dominon motivi i dashurisë.
Shkrimtari pati një largim të hershëm, ai ndërroi jetë më 25 tetor të vitit 1998, pas një sëmundje të rëndë, në moshën 38 vjeçare, duke lënë pas tij një sërë veprash letrare.
Zhanri me të cilin ky autor e filloi krijimtarinë e tij letrare është poezia. Lirika e lidhur me muzën e pastër, të thellë dhe të përjetuar shpirtërisht, dominon fuqishëm në poezinë e tij, thotë kritika letrare. Është një fat i madh që ligjerimi poetik i këtij autori të talentuar pas vdekjes së tij gjeti një orkestrim të vrusllshëm dhe një zë të lartë mes librave të tjerë të letërsisë shqipe.
Libri fillon me poezinë “Sekondat e jetës”, me qëllim që të pasqyrohen çastet kyçe të jetës së tij, në atë periudhën kur autori ka luftuar me sëmundjen e kobshme dhe sikundër që thuhet në parathënien e redaktorit të librit, Daut Dauti, përndryshe shok I tij i shkollës, në këtë poezi një fare profecie. E veçanta e kësaj poezie e cila është tejet personale, nuk është mënyra e përshkrimit të diagnozës së smundjes, por parandjenja që shpreh autori, duke i dhënë kështu një dimension metafizik:
Dhoma Shtatëmbëdhjetë,
krevati numër pesë I sëmurë, i verdhë,
doktor Nino Gruevi
Me jep kurajë,
unë, njeriu endacak
Dergjem plot frikë
Diagnoza: Echinococus në mëlçi
Nesër më pret skalperi, do të më “çelë” mjeku
Djersa në ballë e ftohtë
Poshtë në trotuar fëmija luan me pëllumbin
Dhe pyes veten: a ka shpëtim?
Siç thuhet në parathënien e redaktorit të botimit, me këtë përmbledhje rrumbullakohet krijimtaria poetike e këtij autori, mirëpo, vëhet në dukje se përskaj përmbledhjeve të deritashme me tekste nga fusha e dramaturgjisë, mbeten për botim edhe afro dhjetë tekste të tjera dramash. Përndryshe, në qershor të këtij viti, Grupi Teatror “Bekim Fehmiu” dha premierën e shfaqjes “Koka e gjarprit” po nga ky autor.
Në këtë liber veçohen edhe fjalët e botuesit, të birit Mirfatit, i cili ka shkruar fjalët më të ndjera për të atin: “Thonë se dheu eshte i ftohtë, sepse e ftoh, edhe atë dhembje të pakufi që përjetojmë kur ndahemi prej dikuit. Sa më shumë që largohemi nga dita e ndarjes, githnjë e më zbehtë e kujtojmë fytyrën e tij, gjithnjë e me pak kujtojmë ngjarjet që na lidhin, sepse gjërat të tjera ndërkohë përmbushin boshësinë që ka lënë prapa…dhe bindemi se asgjë s’është e përjetshme …perveç vepres ge le dikush…ndaj dhe jam krenar që mund të nënshkruhem te ky liber, si vepër e babait tim, ndjesë i pastë shpirti. Me veprat e tij, edhe ai rron perjetë në kujtimet e përbotshme”.