MASH: Do të ketë lehtësime shtesë në provimin e maturës shtetërore

Për shkak ngjarjeve që kanë ndodhur gjatë kohës së fundit në arsimin e Maqedonisë së Veriut, Ministria për Arsim dhe Shkencë ka paralajmëruar lehtësime shtesë për dhënien e provimit të maturës shtetërore.

“Do të ndahen materialet për provimet interne dhe bazat e pyetjeve jo më vonë se katër javë para provimit intern me numër pyetjesh 3 herë më të lartë se numri i pyetjeve në provim, universiteteve do t’iu rekomandohet që provimi i parë ekstern të jetë përkatës për të gjitha programet studimore ndërsa do të rekomandohet ndryshimi në raportin e pikëve ndërmjet provimeve eksterne dhe interne gjatë regjistrimit, në favor të atyre interne”, i numëroi Ministria disa nga kërkesat e pranuara. Këto kërkesa ishin parashtruar nga Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme, të cilët zhvilluan takim me ministrin Jeton Shaqiri.

“Për shkak të kalendarit tashmë të miratuar për këtë vit shkollor, nuk mund të shtyhet data e provimit të parë ekstern që është një nga kërkesat e Unionit. Prandaj, si zgjidhje plotësuese dhe kompromis u ofrua zvogëlimi i vëllimit të testimit nga gjuha amtare përmes plotësimit të Konceptit për dhënien e provimit të maturës shtetërore, provimit të maturës shkollore dhe provimit përfundimtar në arsimin e mesëm publik”, sqarojnë nga Ministria. Me ndryshimet e fundit, nxënësit do të marrin pyetjet jo më vonë se katër javë para ditës së provimit.