Mbledhje e Komisionit për Çështje Evropiane

Në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut sot Komisioni për Çështje Evropiane do ta vazhdojë seancën e 59-të, ku pikë e mbetur e rendit të ditës është Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në fitim, me procedurë të shkurtuar.

Siç thuhet në elaborim, qëllimi i ndryshimeve të propozuara në Ligjin për tatim-fitimin është përputhja me Direktivën 2016/1164 të Këshillit të Bashkimit Evropian të datës 12 korrik 2016 për vendosjen e rregullave kundër praktikave të shmangies së tatimit që ndikon drejtpërdrejt në funksionimin e tregut të brendshëm, si dhe rekomandimet nga Komisioni Evropian dhe institucionet financiare ndërkombëtare.