Ivan Todorov do të jetë ambasadori i ri i Serbisë në Bosnje dhe Hercegovinë, njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë.
Me publikimin e sotëm të dekretit të Presidentit të Serbisë, ka përfunduar procedura e emërimit të katër ambasadorëve të rinj të Serbisë, përfshirë edhe Todorovin, i cili deri më tani ishte ambasador në Hungari.
Ai ka punuar në Agjencinë për Siguri dhe Informacion (BIA), dhe nga viti 2018 deri në vitin 2023 ka shërbyer si ambasador i Serbisë në Hungari.
Në deklaratë thuhet se Todorov është një ish-sportist profesionist, kampion i shumëfishtë i RSFJ-së dhe Ballkanit në xhudo, fitues i medaljeve mesdhetare dhe evropiane dhe pjesëmarrës i Lojërave Olimpike në Seul në vitin 1988.
Todorov ka qenë sekretar i përgjithshëm dhe kryetar i Bordit të Drejtorëve të Shoqatës Sportive “Crvena zvezda”, ndër të tjera ka mbajtur edhe funksionin e presidentit të Federatës Ballkanike të Xhudos dhe nënkryetarit të Komitetit Olimpik të Serbisë.
Ai është President i Bordit Këshillimor të Presidentit të Federatës Evropiane të Xhudos dhe Drejtor i Zhvillimit të Federatës Botërore të Xhudos.
Ka diplomuar në Fakultetin e Kulturës Fizike në Universitetin e Beogradit dhe ka doktoruar në Fakultetin e Sportit dhe Edukimit Fizik të Universitetit të Nishit.