Mediat në Serbi e quajnë skandal deklaratën e Familjes Kelmendi për Kosovën e Shqipëri

Mbrëmjen e së enjtes, Familja Kelmendi e kualifikuan Shqipërinë në finalen e “Eurovision-it”.

“Duje” titullohet kënga e tyre e cila u shoqërua me një superperformancë, shkruan lajmi.net.

Pas performancës ata kanë folur për media për ndjenjën e kalimit në finale.

Nga gazetarët janë pyetur edhe për faktin se si ndihen pasi me prejardhje janë nga Kosova, dhe arritën suksesin për Shqipërinë në Eurovision.

“Ne jemi të një gjaku, të një kombësie, Kosova dhe Shqipëria janë si vëlla dhe motër dhe ne kemi një nënë që është Shqipëria e Madhe”, tha Kelmendi.

E kjo deklaratë e Kelmendit, nuk iu ka pëlqyer mediave serbe, të cilat madje e kanë transmetuar si skandal.

“Skandali i shqiptares në Eurovizion: “Shqipëria e Kosova jemi si vëlla e motër, dhe nëna jonë është Shqipëria e Madhe”, është vetëm një nga titujt e mediave në Serbi në lidhje me deklaratën e familjes Kelmendi para gazetarëve.